TIRANE, 11 Shkurt/ATSH/- Strategjia për zhvillimin e Turizmit 2018-2020 përcakton rrugën nëpër të cilën do të ecë zhvillimi i turizmit në vendin tone duke sjellë për herë të parë një dokument ku shkruhet qartë mënyra sesi do të zhvillohet turizmi në 12 muaj të vitit, dhe si industria turistike do të shndërrohet në degën kryesore të të ardhurave në ekonomi.
Strategjia ka nisur të konsultohet me grupet dhe aktorët e sektorit dhe në takimin me përfaqësues të bashkive dhe tur operatorët në vend ishte i pranishëm edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.
Klosi tha se “presim që në vitin 2018 të kemi padyshim një rritje prej 15 deri në 20% të numrit të turistëve.
“Do të ishte shumë më mirë që ky 15% i vitit 2018 të ishte mbi shifra shumë më të larta nga këto që kemi, por këto që kemi na e bën të vështirë që të mendojmë se 15% i rritjes do të na ndihmojë që turizmi të kthehet në një forcë të madhe drejtuese mbi të cilat të orientohen të gjitha politikat e institucioneve të tjera, për të pasur më shumë të ardhura në familjet shqiptare”, tha ai.
Ministri u kërkoi bashkive të identifikojnë zonat turistike dhe fermat agroturistike, dhe t’i sjellin për aplikim pranë ministrisë për të marrë mbështetjen financiare që ofrohet nga qeveria.
Ai shtoi se strategjia përpiqet që të vërë në shina problematikat që kemi. “Në qoftë se ne duam që në pesëvjeçarin e ardhshëm, Shqipëria të shikohet si një destinacion i vërtetë turistik europian, ne duhet të menaxhojmë shumë herë më mirë fuqitë tona, burimet njerëzore, këtë rrjet që jeni këtu me njerëz që punojnë çdo ditë me turizmin, natyrisht me politikat që ndërton institucioni ynë. Dhe ky mendoj është edhe thelbi i strategjisë sonë. Sa të mundur e kemi që të ne të rakordohemi me njëri -tjetrin dhe të vendosim disa piketa në menaxhimin e biznesit të turizmit në Shqipëri”, nënvizoi Klosi.
Ai shtoi më tej se “po diskutojmë për të parë edhe mundësitë e ndihmës financiare për këto qendra që janë të njëjta në filozofi si hotelet me 5 yje sepse besojmë fort që nëse kemi një strategji të plotë të këtyre qendra të agroturizmit ne realisht mund të kemi një bum turistik.
Ministri bëri me dije se do të investohet për sinjalistikën turistike gjithashtu. “Të gjitha këto do të çojnë në një rritje në masën 15-20 përqind të turizmit këtë vit, krahasuar me një vit më parë”, tha ai.
Ministri nënvizoi se agroturizmi duhet të marrë një hov shumë më të madh.” Unë do t’u bëj një letër të gjithë kryetarëve të bashkive së bashku me ministrin Peleshi për të kërkuar kontributin e çdo institucioni lokal për të evidentuar dhe për të nxitur në zona me histori apo me potencial, zhvillimin e këtij lloj turizmit. E kemi shumë të nevojshme që të krijojmë një rrjet të pikave ku kemi zona dhe ferma agroturistike”, tha Klosi. /a.g/