TIRANË, 9 Shkurt/ATSH/.- Kryeministri Edi Rama falënderoi sot qytetarët që denoncuan për ndërtimin e HEC-it mbi kanionet e Osumit dhe i siguroi ata se Kanionet e Skraparit nuk preken.
“Qyshse u krye procedura ligjore e miratimit të një lejeje të dhënë nga qeveria e mëparshme dhe u mor sinjali se diçka nuk shkonte, Ministri i Mjedisit Blendi Klosi nisi hetimin administrativ të lejes mjedisore, e cila rezultoi një fabrikim kriminal me koordinata të manipuluara. Individët e përfshirë në këtë fabrikim do të kallëzohen në prokurori, ndërsa e gjithë procedura do të anullohet”, shkruan Rama në një postim në rrjetin social Facebook.
Duke falenderuar qytetarët që e çuan të parët këtë sinjal përmes Platformës së Bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al dhe të gjithë të tjerët që u përfshinë në publikimin e këtij krimi të mbetur në tentativë, Rama thekson se asnjë qeveri askund në botë nuk është e pagabueshme, por qeveritë dallojnë nga mënyra sesi reagojnë, qoftë kur gabojnë apo qoftë si në këtë rast, kur padashje mund të jenë duke gabuar.
“Ndjesë kujtdo që me të drejtë u shqetësua apo pikëllua nga lajmi i keq i prekjes së Kanioneve Magjike dhe mezi pres të rikthehem atje, në duart e djemve e vajzave të mrekullueshme të Federatës Shqiptare të Raftingut”, shprehet Rama.
Të cilësuara si “Koloradot” shqiptare kanionet e Osumit, në Skrapar, po tërheqin gjithnjë e më shumë turistët e aventurës në vendin tonë. Pamjet mbresëlënëse të natyrës në këtë kanion e bëjnë atë një nga më tërheqësit në rajonin e Ballkanit. Kanioni është krijuar prej forcave gërryese dhe tretëse të lumit Osum, të ushtruara në masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës dhe është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 m i gjerë, i thellë deri në 70-80 m, me shpate vertikale. Koha e formësimit të tij mendohet të jetë 2 deri në 3 milionë vite më parë./k.s/ /a.g/