TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Qyteti i gurtë i Gjirokastrës është kthyer vitet e fundit në një ndër destinacionet turistike më të preferuara nga vizitorët vendas e të huaj.
Sot Gjirokastra feston 16 vjetorin e hyrjes në UNESCO. Në korrik të 2005 përmes një procesi shumë mikpritës dhe dashamirës nga përfaqësuesit e UNESCO-s dhe të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate. Sot Gjirokastra i ruan vlerat dhe shtëpitë historike më së miri dhe ato sot janë atraksione turistike për këdo që viziton qytetin e gurtë.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga Gjirokastra duke theksuar se hap pas hapi ajo është kthyer në destinacionet më të kërkuara turistike të Shqipërisë.
“Gjirokastra me këtë pamje sa magjike dhe aq edhe të vërtetë, në 16 vjetorin e hyrjes në trashëgiminë botërore që me punë intensive e nxorëm nga lista e zezë e UNESCO-s e nga pluhuri rrënues i harresës, duke e kthyer hap pas hapi në një nga destinacionet më të kërkuara turistike të Shqipërisë”, tha Rama.
Gjirokastra çdo fundjavë po mbushet plot vizitorë vendas e turistë të huaj, ku qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.
Gjirokastra është një qytet që përbën dëshmi unike të një tradite kulturore të jetës së zhvilluar në shek. 14-19. Në Gjirokastër veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, në harmoni perfekte me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet. Banesat, një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë, luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.
Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.
Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit.
Kalaja, e ndërtuar në shek. 13, përbën zanafillën e qytetit, ndërsa pazari (shek. 17) i vendosur në qendër të qytetit ruan mirë karakteristikat e një pazari tradicional, me ndërtesa të njëpasnjëshme të shtruara me kalldrëme gurësh të zinj./k.s/