TIRANË, 2 korrik/ ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi zhvilloi sot një bisedë me tour operatorët, hotelierët dhe aplikuesit për stacione plazhi, duke e vazhduar këtë tur gjatë ditëve në vazhdim në çdo bashki bregdetare.
“Ne do na duhet ta mbyllim këtë punë në 3, 4 ditë përsa i përket gjithë problematikave që kemi të evidentuara për parcelat e aplikuara, të kemi një aplikim të ri në dy ditët që do të vijnë dhe të kemi një nxitje tashmë nga vet strukturat tona qoftë qendrore, qoftë lokale për t’u kërkuar këtyre poseduesve të plazhit aplikim urgjent dhe të kemi një mundësi që të veprojmë shpejt”, tha ministri Klosi.
Klosi bëri të ditur se do të ketë një përfaqësi nga bashkia me personat e autorizuar për realizimin e këtij procesi, po ashtu nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe Inspektorati Shtetëror i Turizmit si dhe prefektura për të koordinuar problematikat, të cilat do t’i japin një zgjidhje të shpejtë të gjithë atyre që do të pajisen me leje për shfrytëzimin e plazhit.
“Është një situatë, e cila ka ndodhur gjithmonë në këtë periudhë por që padyshim do të duhet të sqarojmë përsa i përket këtij viti. Procesi zgjedhur nuk na lejonte që ta hapnim procesin e aplikimit të parcelave dhe ajo u hap vetëm mbas 25 prillit. Kemi të realizuar në këtë proces në shkallë të madhe”, – tha Klosi.
Ministri Klosi u shpreh se “kemi një situatë jo të keqe në bashkinë e Durrësit megjithatë thashë ka nevojë që të jemi në terren për të përcaktuar problematikat përfundimtare, Është shumë e nevojshme të jemi në terren”.
Sipas tij, 160 parcela janë publike, pra pa pagesë dhe do të menaxhohen nga bashkia e Durrësit.
Ministri Klosi falënderoi forcat e rendit, të cilat kanë punuar për të zgjidhur situatat e paligjshmërisë në terren./k.s//a.a/