TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi dhe ministrja e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, Tatjana Matić biseduan në Beograd për mundësitë e përmirësimit të bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e turizmit.
Gjatë takimit, ministri Klosi theksoi se “është e rëndësishme që të përpiqemi dhe të krijojmë një situatë shumë të kuptueshme midis operatorëve tanë turistikë në mënyrë që të krijojmë shanse për sa më shumë qytetarë serbë që të vizitojnë Shqipërinë dhe anasjelltas, por edhe për të krijuar destinacione të përbashkëta për turistët nga destinacione të tjera që mund të vizitojnë jo vetëm dy vendet tona, por edhe rajonin”.
“Qëllimi i përbashkët është të punojmë në promovimin e ofertës turistike për qëllime të një shkëmbimi më intensiv turistik, por edhe të punojmë në krijimin e produkteve të përbashkëta që do të shiten në tregjet e treta. Gjithashtu, është e rëndësishme të inkurajohet shkëmbimi i të dhënave statistikore dhe të tjera në fushën e turizmit, si dhe vizitat reciproke të ekspertëve dhe përfaqësuesve të medieve në fushën e turizmit”, – tha Klosi.
Ministrja Matić u shpreh se “marrëveshja për bashkëpunim në fushën e turizmit midis qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë nga viti 2018, ofron një kornizë të fortë institucionale për lidhjen e partnerëve në turizëm. Marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale janë intensifikuar në vitet e fundit me shkëmbimin e vizitave në nivelin më të lartë. Tani është koha e duhur për të filluar të mendojmë për projekte të përbashkëta dhe për të përmirësuar më tej bashkëpunimin tonë në sektorin e turizmit”.
Ministrja Matić kujtoi se marrëveshja për uljen e çmimeve të roamingut në territorin e Ballkanit Perëndimor do të fillojë të hyjë në fuqi nesër, e cila do të kontribuojë ndjeshëm në zhvillimin e ofertës turistike në të gjithë territorin e Ballkanit Perëndimor.
Ministri Klosi dhe ministri Matić do të marrin pjesë nesër në një takim me Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vučić. /k.s/j.p/