TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Sezoni turistik ka filluar dhe Kanionet e Osumit me madhështinë, lashtësinë, mitologjinë dhe bukurinë e tyre janë përherë të lakmuar për t’u vizituar. Ato janë shndërruar tashmë, në një destinacion turistik gjithmonë e më i pëlqyer për aventurierët e sporteve të “adrenalinës”.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot një video nga Kanionet e Osumit në rubrikën “Shqipëria e bukur”, në të cilën ai promovon destinacionet turistike në vend.
Sapo kalon qytetin e Çorovodës dhe merr sipër rrjedhën e lumit, të shfaqet pamja e mrekullueshme e Kanioneve të Osumit rreth 13 km të gjatë, nga 4 deri në 35 m të gjerë, 70-80 m të thellë, me shpatë vertikale, përfund të cilëve rrjedh lumi i Osumit.
Të cilësuara edhe si “Koloradoja e Shqipërisë”, pamjet që të ofrojnë kanionet e Osumit janë mahnitëse, gjithë lartësi, kontraste për sa i përket dritës, bimësi e larmishme, një atraksion i vërtetë për turistët vendas dhe të huaj.
Rafting në Kanionet e Osumit është tashmë një nga guidat më të preferuara pothuajse nga të gjitha grupmoshat.
Në një distance prej 13 kilometrash dhe rrethuar me shkëmbinj prej 100 metrash, praktikuesit e rafting kalojnë shumë ujëvara si dhe një sërë operash arti natyral të krijuara nga erozioni, të pagëzuara me emra si ‘’syri’’, ‘’porta e djallit’’, ‘’krokodili’’ apo ‘’katedralja’’.
Në këto Kanione, nga fundi i muajit prill deri në mesin e muajit qershor, zhvillohet sezoni i sportit të rafting. Sportistë nga Italia, Anglia, Çekia, Gjermania dhe gjithë bota vijnë jo vetëm për të ushtruar në ujërat e tij sportin e bukur të raftin, por edhe për të eksploruar magjinë e natyrës shqiptare.