TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot në mbrëmje se slogani i turizmit në këtë sezon veror do të jetë “Pusho shqip”, ndërsa theksoi se “Shqipëria duhet të jetë një destinacion 12-mujor i turizmit”.
I ftuar në një studio televizive, Klosi u ndal fillimisht te operacioni “Bregdeti ynë”, që synon çlirimin e vijës bregdetare nga ndërtimet pa leje, ndaj sipas tij, “këto ndërtime nuk do të tolerohen”.
“Shqipëria nuk ka një sezon, Shqipëria duhet të jetë një destinacion 12-mujor. Akoma nga mentaliteti i njerëzve nuk është hequr ndjesia e ndërtimit pa leje dhe zënia e hapësirave publike. Ajo që duam të bëjmë shumë fort në këtë stad të zhvillimit të turizmit në Shqipëri, është stadi i investimeve të vërteta dhe shfrytëzimit të turizmit”, tha Klosi.
Besoj, vijoi ai, se “ka ardhur koha dhe duhet ta kuptojmë se kjo pasuri kombëtare që është rëra, është një aset i jashtëzakonshëm që nuk duhet të lejohet të uzurpohet”.
“Këto ndërtime në përgjithësi janë ndërtime të realizuara në kohën e fushatës. Ishin mosvëmendje nga institucionet ligjzbatuese gjatë periudhës së fushatës. Ka edhe ndërtime që u ka ardhur koha që duhet të prishen pasi të gjitha këto biseda njëherë e një kohë nuk kishin kuptim sepse rëra nuk quhej fare si një aset dhe zona e plazhit quhej e mjaftueshme edhe me ato ndërtime pa asnjë lloj kriteri. Fillonte me një kioskë, pastaj kioska bëhej beton. Të gjitha këto në prona të shtetit”, tha Klosi.
Ai theksoi se “ka ardhur koha që nëse do të kemi një vijë normale bregdetare ajo do të jetë shumë më mirë e menaxhuar”. “Prishje mund të ketë për disa objekte të betonit, por më shumë janë këto ndërtimet e para verës, të cilat nuk mund të ndodhin më dhe duhet ta kuptojnë njerëzit këtë gjë”, tha Klosi.
Ndërkohë, duke folur për turizmin, ai u shpreh se “Shqipëria deri tani ka shfrytëzuar vetëm 1/3 e potencialit në turizëm”.
Sipas tij, vendi ynë do të duhet të rrisë kapacitetet akomoduese, por edhe për infrastrukturë turistike duke iu referuar porteve dhe aeroporteve.
“Nuk e kemi arritur akoma 1/3 e kapacitetit. Kemi të pashfrytëzuar fare, turizmin blu, turizmin e detit. Nëse rrugët kanë probleme, deti është i njëjtë dhe ne këtu mund të kapim po të njëjtin turizëm si Greqia. Shqipëria ka shumë nevojë për rritjen e kapaciteteve akomoduese për krijimin e infrastrukturës për të bërë turizëm portet dhe aeroportet”, tha ai.
Klosi tha se “sot jemi një vend atraktiv dhe vend i pëlqyer nga operatorët turistikë”.
/m.m//a.a/