TIRANË, 12 qershor /ATSH – I. Vata/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka marrë pjesë në çeljen e sezonin turistik në Valbonë, duke u shprehur se Valbona ka sezon 12 muajt e vitit dhe në fakt 12 muajt e vitit ka turistë.
“Shumë bukur këtu tashmë çdo ditë zbukurohet, çdo ditë pasurohet, shtohen kapacitetet akomoduese, shtohen shërbimet por njëkohësisht me shërbimet shtohen edhe pemët. Nuk kemi më prerje pemësh, dëmtim të natyrës. Faleminderit që në këtë aktivitet e bëjmë me artistë nga të gjitha trevat shqiptare, jemi përsëri në sofrën dardane. Duke falënderuar gjithë ata që kanë ardhur dhe veçanërisht mikun dhe ish-kolegun Azgan Haklaj me të cilin kemi mbi 20 vjet që së bashku edhe pse jo shumë dakord politikisht këto aktivitete gjithmonë i kemi mbështetur”, shprehet ai.
Po ashtu, Klosi shtoi se “para 20 vitesh kemi qenë në Bajram Curri dhe kemi bërë këtë aktivitet, tani e bëjmë në shesh të hapur”.
“Janë kaq shumë artistë e kjo tregon që ne jemi hapur shumë më tepër me njëri-tjetrin, po e njohim shumë mirë njëri-tjetrin. Duhet t’i shijojnë të gjithë shqiptarët e Shqipërisë e Kosovës e Malit të Zi e Maqedonisë këto bukuri të natyrës. Bjeshkët janë unike në Ballkan. Janë kaq të bukura, perëndia i ka bërë kaq të bukura. Prandaj jo vetëm ndihem mirë që jam sot në këtë aktivitet, po falënderoj ata që kanë rritur kapacitetet kanë rritur ofertën turistike të Valbonës”, përfundoi ai.
Valbona është pikë turistike gjithëvjetore ku janë të pranishëm çdo ditë vizitorë të shumtë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, si dhe të tjerë të ardhur nga vise të ndryshme të vendit, një zonë turistike që ka fituar një emër të mirë, përmes bukurisë mahnitëse, mikpritjes dhe qetësisë që ajo ofron. /j.p/