TIRANË, 8 qershor /ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi e cilësoi vitin 2021, si vitin e turizmit që do të shërbejë si një arritje shumë e mirë për ekonominë shqiptare.
Gjatë një interviste televizive, Klosi tha se, prej një jave Shqipëria ka hapur kufijtë dhe nuk kërkon as test për Covid-19 dhe asnjë dokument tjetër shoqërues çka ka gjallëruar fluksin e turistëve në vendin tonë, jo vetëm nga Kosova por edhe nga shtete të tjera.
Politika e ”dyerve të hapura” është një përpjekje për t’i ardhur në ndihmë turizmit, një prej degëve më të rëndësishme të ekonomisë dhe një prej sektorëve të goditur më rëndë për dy vite me radhë nga tërmeti i 2019 dhe pandemia e vitit 2021.
“Kemi një projekt që është në fazën e negociimit për një investim të rëndësishëm saudit në hoteleri. Javën tjetër do të kemi çarterat e parë me turistë nga Riadi, ndërsa vijojnë ato nga Dubai dhe risi së shpejti do të jenë çarterët me turistë nga Egjipti”, tha Klosi.
Ai bëri të ditur se hoteleria shqiptare do të jetë e prenotuar ashtu siç kemi nevojë dhe kjo vjen si rezultat i rritjes së imazhit të Shqipërisë dhe përgatitjeve që janë ndërmarrë për rritjen e standardeve në sektorin e hoteleri-turizmit.
Gjithashtu theksoi Klosi, “në kuadër të takimit me ministri turk të turizmit, ku nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë në shumë sektor të turizmit, mundësi reale është fakti që kompanitë turke të njohura do të realizojnë projektet e tyre në Shqipëri në marinë dhe në industrinë e detit, që është një nyje e rëndësishme zhvillimi dhe biznes fitimprurës”.
Lidhur me masat për mjedisin Klosi tha se “kemi probleme me mjedisin dhe do të ndërmarrim një aksion në shkallë të gjerë për sensibilizimin e pushtetit vendor, institucioneve, subjekteve dhe të gjithë qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit”.
Ai vuri në dukje se është reduktuar ndjeshëm përdorimi i qeseve plastike dhe kjo nismë do të legjitimohet.
“Pushimet që zgjedhim të bëjmë për ne janë zgjedhje personale apo vendime familjare, por vendimi ynë për pushime për dikë tjetër është biznes, është industri. Një në pesë veta punon në sektorin e turizmit. Është ky sektor që jep më shumë se 20 % të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar”, theksoi Klosi. /j.p/r.e/