TIRANË, 6 qershor /ATSH – I. Vata/ Bashkia Pogradec ka çelur sot sezonin turistik për vitin 2021, me aktivitete të ndryshme nga sportet ujore deri tek produktet bio që ofron kjo zonë për pushuesit vendas dhe turistët e huaj.
Këtë vit qyteti i bukur liqenor i Pogradecit, ka zgjedhur që të jetë më i prekshëm për vizitorët dhe turistët, jo vetëm me investimet në infrastrukturë dhe gjelbërim, por edhe plazhet publike, pastërtinë, sportet ujore apo shumë aktivitete që do të shoqërojnë sezonin turistik.
Ky sezon turistik gjithashtu sjell dhe një risi tjetër ku sipas kryetarit të bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli në 100 ditë vere çdo ditë nuk do mungojnë aktivitetet për vizitorët.
“Në këtë sezon turistik ne kemi hartuar një kalendar me aktivitete të ndryshme dhe në 100 ditë nga data 1 qershor e deri në fund do ketë aktivitete të ndryshme, pra në 100 ditë çdo ditë do ketë nga një aktivitet”, tha Xhakolli.
Ai theksoi se, “Pogradeci këtë sezon turistik do jetë i tejmbushur me pushues vendas dhe turist të huaj, kjo për shkak dhe të vendimit të qeverisë për të mos patur asnjë lloj pengese për ardhjen e tyre. Ne jem gati për këtë sezon turistik, pasi kemi punuar kaq kohë për të mbajtur pastër bregun e liqenit, gjithë qytetin dhe gjithë ambientet përreth”.
E pranishme në aktivitetin e hapjes së sezonit turistik ishte dhe deputetja e PS-së Blerina Gjylameti e cila tha se “sot është çelja zyrtare e të gjithë sezonit turistik të Pogradecit, dhe jemi në një nga pikat që do te jetë jo vetëm plot me qytetarë por dhe plot aktivitete të veçanta që do të shoqërojnë të gjithë këtë sezon turistik”.
“Është e vërtetë që në Pogradec do të shikojmë një gjë ndryshe sivjet, do të jemi ndoshta nga qytetet me unike që bashkojmë bashkë jo vetëm pjesën e mikpritjes pogradecare, jo vetëm pjesë e kulinarisë, apo ato gatimet e veçanta që bëjnë zonjat pogradecare, por gjithashtu do të shikojmë Pogradecin ndryshe, Pogradecin e rikthyer, në atë çfarë ka qenë Pogradeci i artistëve, i artit i kulturës. Këtë e ka bërë të mundur kryetari i bashkisë Ilir Xhakolli, ekipi i bashkisë me të gjithë profesionistët, që edhe në Pogradec të kemi 100 ditë të plota me aktivitete. Ka ditë që ka nisur kjo maratonë aktivitetesh, por dhe nga puna që ka bërë qeveria shqiptare për të arritur vaksinimin në masë dhe për të ulur të gjitha ato kufizime të pandemisë, ne të jemi nga ata qytete të gjelbra që të kemi sa më pak kufizime dhe sa më shumë turizëm”, tha ajo
“Qyteti ynë ka qenë një desitnacion nga më të veçantët në Shqipëri, tashmë falë punës së bëri së bashku me institucionet po e rikthejmë atë çfarë ka patur veçantia e Pogradecit. Mikpritja e kombinuar me art me kulturë dhe kulinari dhe për këtë do të jemi nga qytetet më të vizituara”, u shpreh Gjylameti.
Tradita pogradecare ishte tema kryesore e çeljes së këtij sezoni turistik, ku në shëtitoren e qytetit për qytetarë të shumtë u prezantuan produktet bio dhe gatimet tradicionale të zonës, punime artizanale, ekspozita me piktura dhe punime dore.
Gjithashtu nuk munguan dhe aktivitete të tjera siç ishin sportet ujore ku të rinjtë shijuan bukuritë e liqenit me kanoe si dhe aktivitete sportive si basketboll në qytetin e tyre tashmë të rilindur për shkak të investimeve të kryera gjatë viteve të fundit.