Sarandë, 28 maj /ATSH-Shkëlqim Hajno/ Luigi Soreca, kreu i delegacionit të BE në Shqipëri zhvilloi sot një takim pune në bashkinë e Sarandës në kuadër të çeljes zyrtare të sezonit turistik dhe të turit nëpër Shqipëri: “Javët e Europës 2021”.
Kreu i delegacionit të BE-së në Shqipëri shoqërohej në takimin e punës me kryebashkiakun Gurma edhe nga ambasadorët e Spanjës dhe Francës.
Gurma pasi u shprehu miqve falenderimet për vizitën në këtë ditë që përkon me çeljen e sezonit turistik 2021, i njohu ata me disa specifika të zhvillimeve turistike, ekonomike dhe sociale të bashkisë Sarandë. Ai u ndal në harmoninë mes religjioneve fetare si një tipar i vlerësuar i bashkëjetesës.
Duke u fokusuar në strategjinë dhe zhvillimin e turizmit, Gurma theksoi se “jemi duke punuar maksimalisht së bashku me qeverinë qendrore që Sarandës t’i japim një markë tjetër përsa i përket turizmit”.
Duke përmendur investimet e fundit të realizuara në qytet, Gurma u shpreh se ato “kanë dhënë një ofertë krejt tjetër dhe një qasje krejt tjetër për turizmin”.
“Është rritur ndjeshëm cilësia dhe oferta turistike e qytetit, ne jemi të predispozuar që ta përmirësojmë atë jo vetëm në cilësi por edhe në tejzgjatje si kohë” -vuri në dukje Gurma.
“Saranda ndryshe nga qytetet e ndryshme të Shqipërisë, pret turistë nga gjithë Europa” -theksoi kreu i bashkisë. “Ne kemi turistë nga vendet lindore, nga vendet nordike, nga Italia, etj. Shpresojmë që këtë vit pas situatës së vështirë nga pandemia dhe përgatitjeve serioze dhe investimeve lokale dhe qendrore, ne të kemi një bum turistik; të arrijmë nivelin e vitit 2019 me mbi 800 mijë turistë në sezon”- tha kryebashkiaku Adrian Gurma.
Gurma e simbolizoi vizitën e kreut të delegacionit të BE-së, në Shqipëri si “një ogur i mirë për një sezon turistik të suksesshëm”
Luigi Soreca duke falenderuar për pritjen që iu bë në Sarandë, vuri në dukje se “është kënaqësi që vjen në këtë qytet”.
“Na vjen mirë që kjo vizitë e jona përkon edhe me çeljen e sezonit turistik dhe është kënaqësi dhe jemi të gatshëm që të diskutojmë së bashku me ç’do të ndodhë në të ardhmen, duke diskutuar me ju, operatorët ekonomikë dhe qeverinë qendrore si ta bëjmë këtë sezon turistik sa më të mirë pavarësisht pandemisë”-u shpreh Soreca.
“Ne do të dëgjojmë siç e thatë edhe ju për planet që ju keni për strategjinë në fushën e turizmit por rëndësi ka që kjo bukuri që ju keni në këtë zonë, të mbetet e tillë dhe të themi të mos mbingarkohet nga gjërat e tjera. Ne e dimë që këtu në Sarandë vijnë shumë turistë evropianë. Vijnë për t’u takuar me evropianët e tjerë”- tha ai.
Soreca vuri në dukje se “slogani i këtij udhëtimi është: Europa është këtu, po edhe këtu është Europë”.
Në takimin e Sarandës ishin të pranishëm dhe përshëndeten edhe ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak si dhe homologu i saj spanjoll Alonso Marcos. /j.p/