TIRANË, 8 maj/ATSH/ Në qytetin bregdetar të Vlorës ka nisur këtë fundjavë edicioni i 22-të i Albania Open, garës ndërkombëtare të aeronautikës, i cili shënon prej disa vitesh edhe çeljen e sezonit turistik.
Organizatori i këtij aktiviteti të sporteve ajrore, Alket Islami, tha sot për ATSH-në se ky është një aktivitet i përvitshëm që zhvillohet në Vlorë gjithmonë me ardhjen e pranverës dhe me këtë event hapet edhe sezoni turistik.
“Këtë vit në garë janë mbi 75 pilotë, që është një numër shumë i madh dhe kjo kuptohet në pozicionimin e pilotëve. Jo të gjithë ngjiten lart në fluturim, presin radhën. Sa më shumë pilotë ka në vendin e uljes kjo tregon që aq më shumë pjesëmarrës ka. Risi në këtë edicion është ekipi francez që është me 10 persona”, theksoi Islami.
Sipas tij, gara në kompeticion është e fortë deri tani në nivel teknik.
“Sot në mbrëmje do të shpallen edhe fituesit e këtij aktiviteti, ku do të jepet çmimi i fituesit të “Albania Open”, “Golden Lady” për piloten më të mirë femër si dhe “Ekipi më i miri””, – tha Islami.
Ky aktivitet për 22 vite me radhë është zhvilluar në qytetin e Vlorës, ku promovohet edhe riviera e mrekullueshme e vendit tonë.
Aeronautika Shqiptare është krijuar në vitin 1994 dhe që nga ajo kohë ka qenë promotori dhe organizatori kryesor i aktiviteteve të sporteve të ajrit në Shqipëri./k.s/