Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve pritet të bëjnë një përpjekje për të hequr ligjvënësen Liz Cheney nga udhëheqja e partisë së tyre për denoncimin e pretendimit të rremë të ish Presidentit Donald Trump se zgjedhjet iu vodhën, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters dy burime të republikanëve në Kongres.
Një nga burimet tha se republikanët mund të votonin për këtë që më 12 maj, takimi i tyre i ardhshëm i planifikuar pas një pauze dy javore. Udhëheqësi i Pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy tha të martën se ka shqetësime në rritje midis ligjvënësve republikanë në lidhje me aftësinë e ligjvënëses Liz Cheney për të udhëhequr grupin e partisë në Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa ajo vazhdon të sulmojë ish-Presidentin Donald Trump për nxitjen e mbështetësve të tij për të sulmuar Kapitolin më 6 janar.
“Kam dëgjuar nga anëtarët e shqetësuar për aftësinë e saj për të kryer punën e saj si udhëheqëse e konferencës së ligjvënësve republikanë, për të përçuar mesazhin në mbështetje të republikanëve që po përpiqen të fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet për kongres të vitit të ardhshëm”, tha ligjvënësi McCarthy për kanalin Fox News. “Të gjithë duhet të punojmë si një zë i bashkuar nëse duam të fitojmë shumicën”, tha ai. “Mos harroni, shumicat nuk jepen falas. Ato duhen fituar”.
Një zëdhënës i ligjvënëses Cheney iu përgjigj komenteve të zotit McCarthy me një deklaratë ku thuhej: “Kjo ka të bëjë me faktin nëse Partia Republikane do të përjetësojë gënjeshtrat për zgjedhjet e vitit 2020 dhe do të përpiqet të zbardh atë që ndodhi më 6 janar. Ligjvënsëja Liz Cheney nuk do ta bëjë atë. Ky është thelbi i kësaj çështje.” Komentet e ligjvënësit McCarthy erdhën ndërsa zonja Cheney, udhëheqësja numër tre e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe vajza e ish-nënpresidentit amerikan Dick Cheney, vazhdoi sulmet e saj ndaj ish-presidentit Trump për rolin e tij në sulmin vdekjeprurës në Kapitol ndërsa ligjvënësit po certifikonin fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të vitit të kaluar.
Të hënën, ligjvënësja Cheney tha në takimin e përvitshëm të institutit konservator American Enterprise në Sea Island të Xhorxhias, se pretendimi i rremë i zotit Trump se iu vodh një mandat i dytë në Shtëpinë e Bardhë është “helm në rrjedhën e gjakut të demokracisë sonë”. Ligjvënësja 54-vjeçare akuzoi zotin Trump për inkurajimin e qindra mbështetësve të tij për t’u përballur me ligjvënësit ndërsa ata po ratifikonin fitoren e demokratit Biden, që ajo e përshkroi si një sulm ndaj transferimit paqësor të pushtetit nga një president në tjetrin.
“Ne nuk mund të shmangim atë që ndodhi më 6 janar ose të përjetësojmë gënjeshtrën e madhe të Trumpit”, tha ajo. “Ishte një kërcënim për demokracinë. Ajo që ai bëri në 6 janar është një vijë që nuk mund të kapërcehet.” Më herët të hënën, gjashtë muaj pasi ai humbi zgjedhjet, Trump tha në një deklaratë se “Zgjedhjet Mashtruese Presidenciale të vitit 2020 do të jenë, nga kjo ditë e tutje, të njohura si Gënjeshtra e Madhe!” Por Cheney, një nga 10 republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve që votuan në favor të ngritjes së akuzave ndaj ish-presidentit Trump për rolin e tij në dhunën në Kapitol, u përgjigj shpejt në Twitter, duke thënë, “Zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 nuk u vodhën. Kushdo që pretendon se ato u vodhën, është duke përhapur Gënjeshtrën e Madhe, duke i kthyer shpinën shtetit ligjor dhe duke helmuar sistemin tonë demokratik”.
Cheney ka thënë se ajo nuk ka ndërmend të heqë dorë nga pozicioni i saj udhëheqës në partinë republikane. Në shkurt, ajo lehtësisht ekapërceu një përpjekje të kritikëve republikanë për ta përjashtuar, por shqetësimi për sulmet e saj ndaj zotit Trump duket se është rritur që nga ajo kohë. Një tjetër kritik republikan i ish-presidentit Trump, senatori Mitt Romney, i cili votoi dy herë për të ngritur akuzat për shkarkim ndaj ish-presidentit Trump në dy gjyqet në Senat, shprehu mbështetje për qëndrimin e ligjvënëses Cheney.
“Çdo person me ndërgjegje vendos një vijë përtej së cilës nuk dëshiron të shkojë: Liz Cheney nuk pranon të gënjejë”, tha Romney në Twitter. “Siç më tha një nga kolegët e mi republikan në Senat pas votës time për ndgritjen e akuzave:”Unë nuk do të doja të isha anëtar i një grupi që do të ndëshkonte dikë për marrjen e një vendimi bazuar në ndërgjegjen e tyre të pastër.”” Por ligjvënësit e tjerë republikanë kanë përkrahur ish-presidentin Trump ose kanë heshtur në lidhje me rolin e tij në sulmin ndaj Kapitolit.
Disa ligjvënës kryesorë repuiblikanë, përfshirë zotin McCarthy, kanë udhëtuar në Florida për të vizituar ish-presientin Trump në vilën e tij pranë oqeanit dhe për të biseduar për çështjet politike. Ish-presidenti Trump ka sugjeruar se ai mund të kandidojë për president përsëri në 2024 por tha se ai nuk do të marrë një vendim për këtë deri pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm për kongresin./VOA
Top Channel