TIRANË, 11 maj /ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot se falë investimeve në turizëm Shqipëria ka mundësi të artë që të jetë konkurrente e fortë në rajon.
I ftuar në një emision televiziv për sezonin e ri turistik, Klosi tha se, “për mua problematika akoma s’ka ardhur, është problematika e një turizmi që po shtohet në Shqipëri dhe mungesa e kapaciteteve, mungesa e profesionalizmit, e njerëzve të kualifikuar”.
“Akoma jemi ne që nuk e kuptojmë që turizmi është një industri që do rregullat e tij. Akoma nuk po kuptojmë që turizmi nuk është më një aventurë në Shqipëri, por është një sistem. Ne kemi shumë nevojë ta transformojmë shoqërinë shqiptare, në shoqëri që i shërben turizmit dhe po ashtu të kemi mundësi që të kuptojmë që janë një sërë problematikash që kanë të bëjnë me infrastrukturën, shërbimin dhe me cilësinë e shërbimit”, theksoi Klosi.
“Unë mendoj se ajo që do ndodhi këtë vit është a do ia dalim të ruajmë cilësinë e 2019-ës? Edhe të 2020-ës në fakt që u ruajt në shërbimin hotelier shqiptar. Megjithatë them se do jetë problem sepse 2 vjet në një sistem të kufizuar të shërbimit kanë ndryshuar në fakt të gjithë personelin, stafet, përgatitjet. Dhe shpresoj shumë që të dalim sa më shpejt nga pandemia”, tha Klosi.
“Mendoj që padyshim problemi kryesor i këtij viti do të jetë kur do të dalim nga pandemia dhe si do dalim. Kur do hapet për turistët e huaj. Qytetet e brendshme, Gjirokastra, Berati, Saranda që është pak larg nga ky turizmi rajonal do të kenë problematika nëse bota dhe Europa nuk do të hapet”, tha Klosi.
Ai shtoi se “po zhvillohet turizmi i brendshëm, turizmi rajonal, është një treg i ri që po fitojmë me Serbinë, me maqedonasit e Maqedonisë së Veriut”.
“Një treg i ri që po hapim me Ukrainën me vendet skandinave, vendet e largëta. Por ama turizmi masiv është turizmi i organizuar. Por nëse nuk kemi hapje të Europës karshi nesh, pra Polonia, vendet balltike, probleme me vendet skandinave që të sjellë turizmin e organizuar sidomos për qytetet e brendshme si Gjirokastra, Berati, dhe Saranda. Nëse s’hapet Greqia, nëse s’hapet Korfuzi, nëse s’hapet Janina nga do vijnë turistët. Saranda prapë do jetë problem. Prandaj them që problemi më i madh është që në vitet që do vijnë sesi do e komportojmë ne shoqërinë shqiptare për t’i shërbyer turizmit”, tha Klosi.
“Është e vështirë të kërkosh që të ketë turizëm cilësor nëse nuk ka edhe një lloj turizmi për të mbushur tregun. Po s’patëm që të vijë një turizëm i konsiderueshëm në zonat ku prodhohet biznes nga turizmi siç është zona e Adriatikut, nuk do kemi mundësi që të kemi biznes cilësor në zonat malore dhe në zonat e tjera. Zona e Adriatikut është zona më intensive dhe një nga polet më të forta në turizmin shqiptar. Ne këto para’ dhe biznes që krijojmë nga turizmi nuk mund t’i bënim nëse nuk ka shifra dhe numra në Shqipëri. Ata që bëjnë biznesin e turizmit shikojnë dhe shifrat shikojnë sesa e vizitojnë, shikojnë sesa shpenzohet. Ne na duhet që në kuadër të politikave rajonale të jemi konkurrentë. Dhe atë që thotë kryeministri që Shqipëria në këtë 10-vjeçar duhet të bëhet kampione e turizmit në Ballkan mund t’ia dalim duke vazhduar në të dyja këto”, tha Klosi.
“Në rast se kishim një Shqipëri, e cila pothuajse nuk ishte në hartën e turizmit, unë them që këto 4 vite u krijua një industri turizmi në Shqipëri, u krijuan investime. Duhet të përshëndesim investimet qindra miliona euro që bëhen dhe sot nga investitorët privatë për hoteleri janë shumë të rëndësishme në këtë biznes. Por po ashtu dhe investimet që bëhen në Gjirokastër, Berat apo dhe në Nivicë, të cilat krijojnë pastaj ato polet që vizitohen. Korça është shumë e bukur dhe ka turizëm, por bërja investimeve në zonën alpine të Korçës, që besoj do ketë një investim që të gjithë po e diskutojmë për të pasur edhe një resort aty, do ta bëjë atë zonë shumë më të bukur edhe se Greqia”, u shpreh Klosi.
“Nëse nuk do të kishim këto investime në hoteleri dhe nëse s’do të kishim këto investime në Shqipërinë destinacion turistik, s’do kishim mundësi të flisnim për mundësi të artë që ne të jemi konkurrentë të fortë në rajon. Dhe ky vit unë kam bindjen që do jetë prapë një vit i mirë. Kanë filluar çarterat nga Ukraina, kemi kontratë me polakët”, theksoi Klosi.
Klosi nënvizoi se, “plazhet shqiptare sot janë shumë më të pastra sesa disa kohë më parë sepse të gjitha kanë impiant pastrimi të ujërave të zeza. Duhet ta themi këtë. Padyshim kemi problematika të mëdha me pastrimin e lumenjve. Kemi problematika sesi lumenjtë trajtohen në zonat urbane”.
Klosi tha se impiante ka Velipoja, Shëngjini, Durrësi, ka Vlora, ka Saranda, ka Himara.
“Pra e gjithë vija bregdetare është shumë herë më e pastër dhe këtë duhet ta themi. Dhe është pak vështirë që në fillim të sezonit turistik të themi që plazhet janë pis”, u shpreh Klosi. /j.p/