TIRANË, 12 maj/ATSH/ “Unë rri në Shqipëri”, motoja e fushatës turistike që na udhëhoqi në vitin e parë të pandemisë, do të vijojë edhe përgjatë 2021-shit.
Kështu bëri të ditur ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ndërsa theksoi se këtë vit sezoni turistik do të jetë në kushte më të lehtësuara nga pikëpamja e pandemisë dhe kur vaksinimi po ecën me ritme të jashtëzakonshme.
“Promovimi i destinacioneve tona është një mundësi për ta njohur dhe eksploruar më tej Shqipërinë, për ndihmuar industrinë tonë dhe komunitetet tona”, – u shpreh Klosi.
Ministri Klosi fton të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj fushate me fotot dhe videot nga destinacionet që vizitojnë.
Ministri Klosi ka publikuar një video me disa nga destinacionet më të bukura të vendit tonë, duke i ftuar shqiptarët që t’i bashkohen nismës “Unë rri në Shqipëri”, për të vizituar vendet e bukura që ka vendi ynë.
“Në këtë vend udhëtimi në çdo hapësirë do të bëjë të mbash frymën, duke ndjekur rrugë e shtigje, do të takosh dhe do të jesh i përqafuar nga ndjesia e pakrahasueshme e mikpritjes shqiptare. Në këtë vend mesdhetar i gjithë udhëtimi do të shënojë eksperienca unike, lumenj, liqene, bregdet të ndërthurur midis rërës dhe gurëve. Eksploro parajsën e të dashuruarve pas natyrës. Lagunat me biodiversitetin e tyre mahnitës, vëzhgo me sytë e tu zogj të rrallë. Kapërce nga alpet drejt e në Mesdhe. Udhëto në kohë përmes gjurmëve që shekujt kanë lënë. Vende antike, ndërtesa historike, qytetërime të lashta nënë diellin e mbi 300 ditëve në vit. Më shumë se 3 mijë vjet civilizim të gdhendur në stilin origjinal i kanë dhënë statusin qyteteve pjesë e trashëgimisë botërore. Udhëto mes pyjeve të dendura dhe llojeve të rralla të tyre ku çdo cep vlen të fiksohet. Dhe kudo të ndalosh do të shijosh traditat e ndryshme të gatimit, tavolinat me mozaikë shijesh. Nga shijimi i natyrës, tek qytetet plot jetë e gjallëri. Në këtë vend mesdhetar do të zbulosh sekretin e fundit të Europës. Krijo kohën, gjithçka tjetër e gjen në Shqipëri”, thuhet në video.
/k.s/r.e/