Duket se shqiptarët e kanë zakon t’i ruajnë gatimet e detit për në fundjavë, duke qenë se pushimet i lejojnë edhe të bëjnë një udhëtim buzë detit, për të shijuar një sallatë të ftohtë me fruta deti apo një peshk të mirë furre.
Megjithatë, recetën e sotme të karkalecave pikantë me arrë kokosi mund ta përgatisni edhe në shtëpi, njësoj si të jeni në plazh, madje akoma më larg. Shijet ekzotike të kësaj pjate, si shafrani apo qumështi i arrës së kokosit, ju çojnë deri në brigjet aziatike, si ishuj tajlandezë.
Është e kotë të themi që është një pjatë e shijshme, ndryshe nuk do të ishim duke e dhënë recetën e saj. Për më tepër, kur nuk kanë qenë ndonjëherë të shijshëm karkalecat? Lëre pastaj kur flasim për karkaleca pikantë!
Përbërësit (për 6 persona)
- 750 gr karkaleca të qëruar
- 2-4 speca djegës të thatë, të copëtuar
- kripë dhe piper i zi
- 1 lugë e vogël shafran
- 4 thelpinj hudhër, të grirë hollë
- 4 lugë vaj ulliri
- 1 qepë, në feta
- 250 ml qumësht kokosi
- 350 gr qitro, të qëruar dhe grirë në copa
- 1 lugë lëng limoni
Përgatitja
- Përzieni në një tas karkalecat, specat djegës, kripën, piperin, shafranin dhe hudhrën dhe lërini mënjanë për 10 minuta.
- Nxehni vajin e ullirit në një tigan, shtoni qepën dhe fërgojeni derisa të bëhet gati transparente. Hidhni dhe përzierjen me karkaleca dhe fërgojini për 5 minuta.
- Shtoni në tigan qumështin e kokosit, qitron e prerë dhe lëngun e limonit. Lini gjithçka në zjarr derisa karkalecat të gatuhen.
Shërbejini karkalecat të ngrohtë. Ju bëfshin mirë!
Post Views:
181