TIRANË, 30 mars/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot se së shpejti do të nisë vaksinimi i stafeve të sektorit të turizmit dhe hotelerisë, çka do t’i hapte rrugën një sezoni turistik sa më të plotë.
Ministri Klosi zhvilloi sot një takim me shoqatat në fushën e turizmit, hotelerisë, operatorëve turistikë dhe restoranteve, ku theksoi se vaksinimi do të kryhet sipas listave të përgatitura nga shoqatat në sektorin e turizmit.
Në këtë proces fillimisht do të përfshihet stafi që në industrinë e turizmit ka kontaktin e parë me operatorët turistikë.
“Do të dëshironim shumë që të ishim një vend nga të parët në rajon edhe natyrisht me një iniciativë unikale mbase edhe në Europë, ku hoteleri turizmi të vaksinohet i pari. Të kemi mundësinë që të jemi ashtu si në vitin e kaluar një vend me kufi të hapur, një vend që pret turistë natyrisht nga i gjithë rajoni si zgjedhje e tyre e parë, por edhe tregje që tashmë i kemi konsoliduar”, u shpreh ministri Klosi.
Me vaksinimin masiv të gjithë sistemit të turizmit, vijoi ministri, do të kemi mundësinë që të jemi përsëri konkurrent i fortë në këtë industri shumë të vështirë.
Sipas tij, viti 2021 të jetë viti i rizgjimit të biznesit të turizmit në shkallë botërore, por po ashtu edhe për sa i përket turizmit të brendshëm, turizmit rajonal, turizmit mbarëkombëtar edhe atij të vendeve të tjera të rajonit.
“Viti i kaluar ishte viti më i keq i turizmit në historinë e tij botërore dhe rajonale”, u shpreh ministri.
Megjithatë, theksoi ai, Shqipëria ja doli që të kishte një biznes të qëndrueshëm që mundi të mbijetonte.
“Këtë e tregoi dhe fakti se edhe kjo problematikë shumë e madhe përsëri nuk i ndali investimet në infrastrukturën hoteliere, si në gest house, bujtina, agroturizëm”, deklaroi Klosi.
Më tej ai theksoi se shoqatat e turizmit duhet të hartojnë një listë të hoteleve të cilat kanë kontratat më të sigurta me operatorët turistikë.
“Do të duhet të kemi një listim të hoteleve dhe pikave që vizitohen më shumë dhe që janë, le të themi ato pikat e para që duhet të vaksinohen, pasi ne kemi mundësi që të vaksinojmë një numër të konsiderueshëm në sektorin e turizmit”, deklaroi Klosi.
Prioritetet do të vazhdojë të jetë vaksinimi i grupeve të targetuara tashmë dhe sidomos të moshës së tretë, të cilët janë më të rrezikuarit.
Por, shtoi ministri, do të doja shumë që ne ta rikthenim edhe këtë proces në një proces marketingu për Shqipërinë.
“Në një proces ku ajo çfarë ne kemi edhe kryefjalën e turizmit shqiptar, mikpritjen edhe sjelljen e mirë karshi qytetarëve të shoqërohet edhe me një garantim nëpërmjet vaksinimit të higjienës dhe të kushteve të trajtimit të sëmundjes”, tha ministri.
Ai bëri të ditur se pavarësisht procesit të vaksinimit përsëri protokollet e sigurisë për infektimin nga COVID-19 do të zbatohen, pasi duhet të sigurojmë një sistem turistik të kontrolluar edhe të certifikuar nga pikëpamja e garancisë së mos infektimit.
/a.a/r.e/