TIRANË, 26 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se sigurimi i një sasie të madhe dozash vaksinash do të na japë mundësinë për të patur një sezon turistik më të lehtë.
“Sot mund të buzëqeshni, sepse me sigurimin e sasive të konsiderueshme të vaksinave, që na jep mundësinë të nisim vaksinimin intensiv, vëmë një bazë të arsyeshme për të patur një sezon turistik më të lehtë“, tha Rama gjatë një takimi me operatorët turistikë në Durrës.
Kryeministri duke e cilësuar sezonin e shkuar jashtëzakonisht sfidues për shkak të pandemidë, bëri të ditur se deri në fund të muajit maj pritet të kryhet vaksinimi i 500 mijë qytetarëve.
“Këtë vit në në radhë të parë do të sigurojmë që kufiri me Kosovën të jetë absolutisht i hapur dhe në radhë të dytë, do të bëjmë gjithçka na takon që në aspektin e kornizës së aktivitetit turistik të gjithë operatorët turistik të kenë sa më pak shtrëngesa. Dhe së treti, do të bëjmë një vaksinim intensiv. Do të zhvillojmë me shumë këmbëngulje të gjithë procesin e vaksinimit, me synimin që brenda muajit qershor, por duke u përpjekur që kjo të ndodhë deri në fund të muajit maj, të kemi vaksinuar 500 mijë qytetarë“, deklaroi Rama.
Kryeministri vuri në dukje se vaksinimi është themelor për këputjen e sa më shumë hallkave të zinxhirit të infektimeve.
Por theksoi ai, është shumë e rëndësishme që paralelisht me vaksinimin të jemi të vëmendshëm të respektojmë rregullat, sepse përndryshe bëhemi ne pengesa për të dalë nga ky tunel që më në fund po shohim dritë. /j.p/r.e/