Klosi: Festë e bashkimit të shqiptarëve e shpresës dhe ringjalljes
TIRANË, 14 mars/ATSH/ Festa e Verës u festua në gjithë qarkun, në bashkinë Dimal dhe Berat.
Këtë javë komisionet parlamentare miratuan emrin e vjetër Dimal për bashkinë Ura Vajgurore dhe njerëzit së bashku në Ditën e Verës po festojnë dhe për emrin e ri të qytetit. Javën që po vjen pritet që emërtimi i ri të miratohet në Parlament.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i pranishëm në aktivtete tha se “kudo në Shqipëri ka festë në Ditën e Verës, pasi është një ditë e jashtëzakonshme e bashkimit të gjithë besimtarëve të vendit tonë, por edhe një festë e cila na jep shumë shpresë për një ringjallje të madhe për një rilindje të madhe, që do të vazhdojë edhe në gjithë qarkun e Beratit”.
“Do të ketë një transformim rrënjësor, i cili tashmë ka ndodhur, por priten edhe shumë më tepër. Ky mandat i ri i Edi Ramës dhe Partisë Socialiste filluar këtu nga Dimali nga ky qytet i lashtësisë që po riaktivizohet është në fakt dhe një shenjë e madhe se si do të transformojmë jo vetëm Beratin, por gjithë Shqipërinë ashtu si kemi nisur në dy mandatet e para të Partisë Socialiste”, theksoi Klosi.
Ministri Klosi tha se “këtu në Dimal është organizuar një festë po aq e bukur e të rinjve po ashtu në Berat ne sot morëm pjesë në kampionatin “Berati Open”, i cili ka mbledhur parashutistë nga shumë vende të rajonit për të krijuar një atmosferë krejt tjetër në qarkun e Beratit”.
“Festa e sotme është një festë krejt spontane e organizuar nga të rinjtë dhe banorët e zonës së Dimalit tashmë një bashki e re me një emërtimë të ri, por që ka shumë shpresë, shpresë për t’u transformuar në një bashki turistike dhe do të jetë porta hyrëse e Beratit turistik”, shtoi Klosi.
Kryetarja e Bashkisë Ura Vajgurore Luljana Mema tha se “sot në Ditën e Verës Ditën kur stërgjjyshët tanë së bashku me romakët dhe grekët festonin dhe kremtonin së bashku ashtu si ne sot këtu në sitin arkeologjik të Dimalit”.
“Ky qytet antik që për kaq vite ka qenë në gjumë falë një pune të përbashkët edhe me komunitetin edhe me intelektualë të zonës ne prej gati një viti kemi ndërmarrë një nismë për ndërrimin e emrit të bashkisë nga Ura Vajgurore në Bashkinë Dimal. Dy ditë na ndajnë nga ky ndryshim dhe besojmë dhe shpresojmë shumë se do marr miratimin e Kuvendit të Shqipërisë”, – u shpreh Mema.
Kryebashkiakja Mema tha se “falë strategjisë së zhvillimit të bërë që më 2015 nga bashkia Ura Vajgurore jemi të vetëdijshëm se vetëm ndryshimi i emërimit të bashkisë nuk do të sillte një ndryshim thelbësor në ekonominë tonë lokale, por ndërrthurrja e disa elementëve të strategjisë së zhvillimit do të bëjë të mundur që ky qytet i përgjumur të rijetëzohet dhe të kthehet në vëmendjen e vizitorëve brenda dhe jashtë vendit”.
“Në këtë mënyrë do e kthejmë këtë bashki në një atraksion duke ndikuar në mënyrë indirekte dhe në ekonominë lokale të bashkisë Ura Vajgurore duke rritur dhe cilësinë e jetës së banorëve të këtij komuniteti”, – tha Mema./k.s/j.p/