TIRANË, 1 mars /ATSH/ Parku Kombëtar i Divjakës në Karavasta është një atraksion i jashtëzakonshëm turistik i cili tashmë është kthyer një atraksion turistik në vend dhe rajon, ku është e zakonshme që vizitorët dhe turistët ta vizitojnë atë çdo fundjavë.
Gjatë kësaj fundjave ky park është vizituar nga një numër i madh vizitorësh të cilët kanë shijuar kohën me diell duke u njohur më nga afër me bukuritë dhe speciet e shumta që ka ky park.
Ajo që të bie në sy është që vizitorët e shumtë për shkak të situatës të pandemisë kanë zbatuar masat antikovid, ku shumica e tyre janë me maska.
Ky park ofron një sërë atraksionesh për të kaluar këto ditë pushimi. Kjo zonë është vlerësuar si një nga më të rrallat në pellgun e Mesdheut për shkak të parkut dhe zonave rreth tij që kanë vlera historike, kulturore, arkeologjike me potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit.
Zona ka një sipërfaqja prej 22,230.00 ha dhe ndodhet 5 km larg Divjakës dhe 40 km larg qytetit të Lushnjës. Në këtë zonë gjithashtu takohen një sërë habiatatesh si p.sh delta lumenjsh, laguna, duna ranore, bimësi psamofite, halofite, dhe hygrofite, pylli me pishë të butë dhe të egër dhe me prani të dëllinjës kokërrmadhe (Juniperus monocarpa). Takohen 3 lloje endemike salepësh të gjinisë Orchis dhe lloji endemik (Aster albanicus). Përgjatë deltave takohet gjitari globalisht i kërcënuar lundërza (Lutra lutra). Përhapje ka dhe çakalli, dhelpra, baldosa, dhe të tjera specie të rralla të rajonit tonë.
Zona njihet edhe për disa lloje të rralla pishash dhe një lloj i rrallë Pelikani, “Dalmatian Pelican”. Numri prej 5 % e të gjithë pelikanëve të këtij lloji jetojnë aty. Në zonë ndodhet një plazh mjaft i madh i cili vlerësohet për aftësitë kurative që mbart edhe rëra që ndodhet në këtë plazh, për shkak të përqendrimit të lartë të nivelit të jodit.
Një tjetër element i veçantë në këtë vend janë edhe ishujt e vegjël që ndodhen dhe në brendësinë e të cilëve ngrenë foletë shpendët.
Kolonia e Pelikanit Kaçurrel me rreth 60 çifte që përfaqëson rreth 5 % të numrit të përgjithshëm të kësaj specie në shkallë botërore është një tjetër veçori e rrallë e zonës që e ka bërë edhe më tepër tërheqës.
Këto janë disa nga arsyet e veçanta që e bëjnë zonën një atraksion turistik i cili çdo vit e më tepër ka qenë tërheqës për turistët ditor dhe të fundjavës. Periudha e pranverës është edhe momenti më i përshtatshëm për tu vizituar. Turizmi familjar është tipar i veçantë i kësaj perle të jashtëzakonshme dhe të rrallë i cili në këto ditë na mirëpret për ta vizituar.