Fusim në trup aq gjëra të ndryshme, sa që nëse sëmuremi është gati e pamundshme të gjejmë se çka e ka shkaktuar sëmundjen.
Dhe çka nëse ju themi që diarrenë e keni fituar jo për shkak të restorantit indian në të cilin ushqimi ka pasur aromë të çuditshme, por për shkak të çamçakëzave? Ose që era jo shumë e këndshme e trupit tuaj nuk është për shkak se keni harruar të bëni dush, por rezultat i biftekut që keni ngrënë mbrëmë?
Duket që ushqimi të cilin e keni ngrënë këtë javë mund të bëjë hallakamë në mënyra të papritura.
Për shembull: Për shkak mishit të kuq kundërmoni keq te femrat.
Asgjë nuk shpreh dominimin e njerëzimit mbi nënën natyrë si gëlltitja e kafshatës së një prej krijesave më të dashura të saj. Mishi kuq është i mbushur me proteina për ndërtimin e muskujve, prandaj kur kombinohet me ushtrime, ju dhuron trupin e përkryer, të cilit damat nuk do t’i rezistojnë. Vetëm sikur damat të mos e kishin edhe shqisën e nuhatjes së erës.
Në një hulumtim të viti 2006, 17 njerëz janë vënë në një dietë dyjavëshe – një grup kanë konsumuar mish të kuq, ndërsa grupi tjetër jo. Në fund janë mbledhur mostrat e aromave të tyre trupore dhe janë paraqitur para 30 femrave të cilat kanë vlerësuar se sa janë të “këndshëm, atraktivë, burrëror dhe intensivë”.
Aroma e atyre që nuk kanë ngrënë mish në mënyrë të vazhdueshme është vlerësuar më atraktivja, madje edhe kur testi është përsëritur një muaj më vonë. Sipas shkencëtarëve, këto rezultatet sugjerojnë që konsumimi i mishit të kuq ka efekte negative në aromën e trupit. Për momentin nuk ka shpjegime mjekësore pse ndodhë kjo, madje një teori popullore thotë që toksinat e patretura të mishit sekretohen përmes poreve të lëkurës. Tani, ose ato toksina gjenerojnë vetë kundërmimin, ose aroma shkaktohet nga bakteri që krijohet në lëkurë për t’u ushqyer me toksinat e sekretuara.
Gomat përtypëse pa sheqer mund të shkaktojnë diarre
Nëse dëshironi frymëmarrje të freskët ka shumë mundësi që përtypni çamçakëz. Disa stomatologë madje i rekomandojnë, sepse rrisin tajitjen e pështymës dhe ushtrojnë nofullën. Ëmbëlsirë pa sheqer, çka mund të shkojë keq aty? Nga njëra anë, është mirë që nuk ju bën më të trashë, por nga ana tjetër, gjërat mund të shkojnë keq në drejtimin tjetër.
Fajtor është ëmbëltuesi sorbitol, kemikati i cili gjendet në shumë çamçakëzë pa sheqer, i cili në mënyrë të dobët absorbohet në zorrë. Substancat që nuk mund të absorbohen kanë tendencën që të sulen drejt e nëpër zorrë. Pra sorbitoli është laksativ. Mos e kuptoni këtë gabimisht, është i mirë në sasi të vogla. Por nëse jeni tip i personit i cili gjithmonë duhet të ketë çamçakëz në gojë dhe gjithmonë e ndërroni me një të freskët. Mos shkoni shumë larg nga tualeti.
Kjo është zbuluar kur në një artikull në revistën mjekësore britanike janë paraqitur rastet e dy pacientëve të cilët kanë treguar humbje serioze të peshës trupore për shkak të diarresë së rendë. Në fillim mjekët kanë qenë konfuz me simptomat, por shumë shpejt kanë zbuluar që pacientët kanë përtypur 15 deri 20 çamçakëzë me sorbitol në ditë. Kur pacientët kanë ndalur konsumimin e tyre atëherë janë ndalur edhe simptomat dhe kanë qenë në gjendje të fitojnë peshën e shëndetshme. Autorët e artikullit theksojnë që shpenzimi i tepruar i sorbitolit ka për pasojë humbjen deri të 20 për qind të peshës së përgjithshme trupore.
Pemët dhe perimet e caktuara ju japin tenin e errët seksipil
Kjo është një nga gjërat që keni menduar që ndodhë vetëm në filma vizatimor. “Hani shumë karota dhe bëheni të portokalltë!” Por edhe ndodhë. Dhe mund t’ju ndihmojë të bëheni me të dashur.
Karotenoidet janë pigmente të cilat mund të gjenden në shumë lloje të pemëve dhe perimeve, siç janë karota, kumbulla dhe kastraveci. Ato ndikojnë në ngjyrën e lëkurës njerëzore, duke ia dhënë një nuancë të verdhë. Në sasitë më të mëdha, mund të shkaktojë ngjyrën e verdhë-portokalltë të lëkurës.
Pse është e rëndësishme nëse shprehia e juaj e ngrënies së karotave të ketë ngjyrosur lëkurën tuaj? Studimet kanë treguar që ekziston lidhja në mes ngjyrosjes së dukshme të karotenoideve dhe asaj se si ju shohin të tjerët. Konkretisht, sa dëshirojnë t’ju shohin lakuriq. Një varg i studimeve britanike ka treguar që njerëzit më shumë vlerësojnë lëkurën e ngjyrosur me karotenoide se sa me melaninë (nga rrezitja e zakonshme).
Shkencëtarët kanë konkluduar që ngjyrosja me karotenoide është “mënyrë valide për t’u treguar shëndeti dhe shpejtuar gjetja e partnerit.” Në thelb, nuancat ngjyrë verdhë-portokalltë tregojnë mënyrë të shëndetshme të jetës, prandaj personi është më i dëshirueshëm si partner romantik. Prandaj nëse keni probleme me gjininë e kundërt, teorikisht kjo është vetëm pse nuk jeni mjaft të portokalltë!
Grejpfruti mund t’ua rrezikojë terapinë me ilaçe
Në rregull, ndoshta nuk është aq shokuese që kafja e tepërt dhe bonbonet e mbushura me përbërje kimike mund të shkaktojnë parregullsi në trupin tuaj. Por, grejpfruti? Grejpfruti është sinonim i mëngjesit të shëndetshëm! Përmban vitaminë C dhe antioskidantë, dhe mund të ndihmojë që të ulet kolesteroli. Duket që problemi i vetëm shëndetësor në lidhje me grejfrutin është mundësia e shtrydhjes së grejpfrutit drejt e në fytyrën tuaj.
Del që grejpfruti bllokon enzimat e caktuara të cilat zbërthejnë ilaçet në zorrën e trashë. Këto enzime zakonisht rregullojnë sasinë e ilaçeve të cilat do t’i shfrytëzojë trupi. Por nëse njëkohësisht konsumoni grejpfrut dhe medikamente, merrni doza shumë më të mëdha se sa do të duhej. Një gotë lëngu nga grejpfrut mund të nxisë efektin maksimal të bllokimit të enzimave, i cili shpesh mund të zgjasë më shumë se 24 orë. Grepfruti ndikon në aq shumë lloje të ilaçeve sa që ekziston edhe lista në Wikipedia.
Kafja e tepruar shkakton halucinacione tingujsh
Kafeja është komponenti thelbësor i jetës së shpejtë moderne. Ajo na mundëson që të punojmë pa u ndalur. Po të mos ishte kafja, do të duheshim të pranojmë kufizimet e trupit tonë dhe të pushojmë herë pas here. Por, pavarësisht përparësive, studimi australian tregon që konsumimi i tepruar i kafes mund të bëjë zhurmë në trurin tuaj në mënyrë mjaft serioze. Seriozisht në kuptimin e një prej simptomave të skizofrenisë.
Në studim, pjesëmarrësit kanë qëndruar tre minuta dhe kanë dëgjuar “shushurimën e bardhë” me kufje. Pastaj u është thënë që do të lëshojnë një këngë të caktuar dhe të prekin butonin sa herë që e dëgjojnë. Megjithatë, shkencëtarët nuk e kanë lëshuar aspak këngën përmes kufjeve. Edhe pse kënga nuk është lëshuar, pjesëmarrësit që kanë pirë pesë apo më shumë filxhanë kanë paramenduar shumë më shpesh gjatë ditës që dëgjojnë diçka. Simon Crowe, autori i studimit, ka thënë që niveli i lartë i stresit dhe kafeina bën që njerëzit të dëgjojnë gjëra që nuk ekzistojnë.
Soja zvogëlon numrin e spermatozoideve
Soja është vërtetë kudo – veçanërisht në kuzhinën aziatike e cila ka marrë vrull në të gjitha meridianet. Në studimin e shkencëtarëve nga Harvardi, 99 meshkuj janë vënë në dietë me ushqim specifik me bazë sojën, ndërsa sperma e tyre është analizuar në qendrën për pjellshmëri. Madje edhe kur kanë llogaritur plakjen, konsumimin e alkoolit, abstinencën dhe ndikimet tjera, shkencëtarët kanë vënë re që ekziston lidhje e fortë në mes ushqimit me sojë dhe koncentrimit të spermatozoideve.
Ata që kanë konsumuar më së shumti ushqim me sojë mesatarisht kanë pasur 41 milionë spermatozoide për mililitër më pak nga ata që nuk kanë ngrënë ushqim nga soja. Përndryshe, numri mesatar i spermatozoideve është rreth 60 milionë për mililitër, çka do të thotë që soja mund të reduktojë shanset për atësi, për dy të tretat. Ka rezultuar që soja ka efekt pro-estrogjenik në sistemin tuaj, çka do të thotë që mund të ngritë nivelin e estrogjenit në trupin tuaj, që potencialisht mund të zvogëlojë numrin e spermatozoideve.