13 vjet në UNESCO/ Rama ndan pamje nga qyteti i Beratit

spot_img

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ 13 vite më parë, në 8 korrik 2008, qyteti i Beratit u përfshi në listën e thesareve të rralla botërore të UNESCO-s.

Kryeministri Edi Rama kujtoi sot këtë datë, ndërsa ndau një fotografi nga qyteti i “Një mbi një dritareve”.

Në 8 korrik të vitit 2008, Berati u regjistrua në Listën e UNESCO-s nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në Konferencën e radhës të mbajtur në Kanada.

Berati u vlerësua si një shembull i rrallë i arkitekturës tipike osmane. Sipas UNESCO-s, Berati është dëshmitar i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore përgjatë shekujve.

Në kriterin 3 të arsyes së futjes së Beratit në UNESCO thuhet shprehimisht se Berati dhe Gjirokastra janë një dëshmi e shquar e diversitetit të shoqërive urbane në Ballkan, dhe të jetëgjatësisë së mënyrave të jetës, të cilat sot pothuajse janë zhdukur.

Kriteri 4 thotë se dy qytetet, Berati dhe Gjirokastra, janë dëshmi e jashtëzakonshme për llojet e ndryshme të monumenteve dhe banesave popullore urbane gjatë periudhës klasike osmane, në vazhdimësi me kulturat mesjetare që e paraprinë atë.

Ky është një vlerësim mjaft i rëndësishëm për qytetin e Beratit, i cili renditet kështu midis 600 vendeve të botës që janë në UNESCO si rrjedhojë e Trashëgimisë së tyre Universale.

“Qyteti i një mbi një dritareve” mendohet që të jetë themeluar që në epokën e bronzit, por që formën e tij të mirëfilltë e mori si qytet-kështjellë, i quajtur Antipatrea, në vitet 313-310 para lindjes së Krishtit. Pikërisht ky ka qenë edhe emri i tij i parë zyrtar me të cilin njihet edhe nëpërmjet dokumenteve.

Ai gjithashtu për nga rëndësia e tij që kishte, gjatë pushtimit romak në shekullin II para Krishtit, u emërtua edhe si “Fortesa e Arbërve”.

Në vitin 1961, Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze, me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Related Articles

Stay Connected

21,992FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe

Latest Articles