TIRANË, 24 Shkurt/ATSH/.- Shqipëria, ky vend i vogël në Gadishullin Ballkanik, ka shkuar sot shumë larg, pas një izolimi gati 50-vjeçar nga regjimi i kaluar komunist. Më në fund, Shqipëria po fiton sot vendin e saj të merituar në hartën globale të turizmit.
Kështu nis shkrimi i botuar në “Bored Panda”, një faqe kushtuar artit të dizajnit dhe fotografisë.
Vija bregdetare buzë Adriatikut dhe Jonit, veriu malor dhe çmimet e arsyeshme janë disa ndër arsyet e shumta përse Shqipëria po shndërrohet në portën hyrëse si për pushuesit pasivë, ashtu edhe për adhuruesit e aventurës.
Është vendi i duhur për ata që ëndërrojnë pushime të qeta e të këndshme, pasi ofron një sërë opsionesh nga resortet luksoze ndanë plazheve ranore dhe një parajsë për aventurierët.
Shtigje udhëtimi të çdo kategorie që të çojnë në ujëvara dhe burime natyrore uji, motoçiklizmi dhe çiklizmi malor, paragliding ose fluturimi i lirë me vela, rafting dhe eksplorimi i kanioneve, si dhe garat malore me makina fuoristrada janë vetëm disa prej aktivitetet që ju ndezin adrenalinën.
Por fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar bukurinë e Shqipërisë. Për këtë arsye, shijoni këto imazhe që zbulojnë magjinë dhe ju ndezin dëshirën e papërmbajtshme për ta vizituar. /u.sh/ /k.s/ /a.g