Në rast se doni të provoni ndonjërën nga ëmbëlsirat me kungull, gjithsesi lexojini këshillat tona se si të bëni vetë në shtëpi pure kungulli- një përbërës i pazëvendësueshëm për këto gatime.
Ëmbëlsirat, tortet e smoothie-t me kungull po bëhen ushqime gjithnjë e më të popullarizuara të vjeshtës. Por, shumica e këtyre recetave përmban pure kungulli, gjë që ndoshta do t’iu bëjë të hezitoni në shikim të parë.
Por pa merak. Ne do t’u mësojmë se si të përgatisni pure kungulli në kushte shtëpie.
Në fakt, ekzistojnë dy mënyra të përgatitjes së puresë së kungullit: përmes pjekjes ose zierjes.
Pure kungulli përmes pjekjes
Me një thikë të mprehtë largojeni bishtin e kungullit. Pastaj vendoseni në një tepsi dhe piqeni në furrën e parangrohur në 200 gradë për 30 minuta. Kur kungulli të fillojë të ndryshojë ngjyrë, nxirreni nga furra dhe lëreni të ftohet.
Pas ftohjes, ndajeni në katër pjesë, largojani lëvoren e farat, ndërsa mishin e kungullit miksojeni në blender derisa të fitoni një pure të butë.
Ky lloj pureje përdoret menjëherë ose ruhet në kavanozë qelqi në frigorifer për 2-3 ditë. Gjatë kohës së ruajtjes së puresë, sipër saj krijohet një shtresë e lëngshme, të cilën patjetër duhet t’ia largoni me lugë përpara përdorimit të puresë.
Përgatitja e puresë përmes zierjes së kungullit
Kungullin qërojeni dhe priteni në kubikë të vegjël. Kungullin e prerë hidheni në ujë të vluar dhe ziejeni për 15-20 minuta, derisa të zbutet.
Pastaj kullojeni mirë dhe miksojeni në blender derisa të fitoni një pure të butë e të mirë.
Pureja e përgatitur kështu përdoret menjëherë ose ruhet në kavanozë qelqi deri në përdorim.
Ju bëftë mirë.
(Visited 1,599 times, 1 visits today)