TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ -Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria e ka ndihmuar sektorin e turizmit në mënyrë të drejtpërdrejtë duke ia bërë TVSH-në, 6 %.
Në një bashkëbisedim me qytetarët në Vlorë i pyetur për investimet në turizëm, Rama u shpreh se, sezoni i kaluar turistik nuk ishte me humbje për operatorët.
“Sektori i turizmit është sektor që është realisht e ardhmja dhe ka realisht një potencial të jashtëzakonshëm. Dhe investimet në turizëm do të kthehen ndoshta më shumë se në çdo sektor tjetër për nga pikëpamja e shumëfishimit të tyre, në formën e të ardhura për investitorët. Kuptohet kërkon kohë, kërkon durim, kërkon shkathtësim të strukturave për të shërbyer me cilësi, por është e sigurtë, që kështu do ndodhi s’e s’ka asnjë mundësi tjetër”, tha Rama.
Rama tha se, “ajo që duhet të bëjmë me siguri është që të bashkëpunojmë më shumë për të rritur kapacitetet e shërbimit, për të rritur aftësinë e atyre që shërbejnë”.
Sa i përket ndihmës direkt për turizmin, Rama tha se, “e kemi ndihmuar sektorin në mënyrë të drejtpërdrejtë duke ia bërë TVSH-në 6 %”.
“Pandemia ishte realisht e frikshme për sektorin, por lëvizja që ne bëmë duke mos e mbyllur kufirin me Kosovën dhe fakti që shqiptarët, këtu në Shqipëri, nuk mundën të iknin jashtë, bëri që hotelet të jenë plot”, theksoi Rama.
Rama nënvizoi se, “ky sezon ka qenë një provë domethënëse e faktit që sa shumë para’ shpenzohen nga shqiptarët e Shqipërisë për turizëm dhe përgjithësisht shkojnë jashtë”.
“Tjetra që e ka ndihmuar shumë sektorin, që është indirekte, ka qenë që shumë nga shqiptarët që janë mësuar të ikin në Budva, Greqi, Itali, Spanjë, Turqi, njohën Shqipërinë. Shumica dinin Tiranë-Durrës, ja maksimumi deri në Vlorë ndonjëherë dhe këtu mbaronte puna e tyre. Korçë për ndonjë fundjavë në dimër”, tha Rama.
Rama shtoi se, “fakti që janë bërë të bukura disa zona ka sjellë efektin keqbërës tek pandemia. Sepse Korça përshembull ka pasur një fluks të jashtëzakonshëm, të vazhdueshëm dhe nuk është teori është fakt që në Korçë nuk gjen dot vend nëqoftëse ti e kërkon vendin sot. Sot merre gjej një vend në Korçë për nesër, nuk e gjen dot. Duhet ta bësh me ditë përpara. Kjo gjë në momentin që hapet do jetë bum i madh është natyrale”.
“Unë nuk kam dalë të bëj fushatë për një arsye shumë të thjesht. Ne faktikisht kemi zgjedhje, patjetër do e respektojmë por në nuk kemi gjëra për të premtuar, ne kemi gjëra për të bërë. Sepse janë gjëra që janë nisur dhe duhet të vazhdojnë. Nuk kemi ne gjëra për të premtuar në sensin që hajde t’ju premtojmë këtë, hajde t’ju premtojmë atë. Por një gjë është e sigurtë dhe kush do tramvaj nuk duhet të na votojë ne. Ne tramvaj në Vlorë nuk do ndërtojmë, kjo është e sigurtë. Po ju tha këtu ndonjë nga deputetët që do bëjmë tramvaj mos e besoni. Ju gënjen. Po ju tha Leskoja, besojeni edhe jepini votën. Tramvaj s’do keni por është e sigurtë që ata mund ta thonë, ne nuk e themi. Ne do bëjmë gjërat që themi dhe themi vetëm gjërat që do bëjmë, që po bëjmë në fakt. S’e nuk ka asgjë që po nis nga hiçi”, përfundoi Rama. /a.a/