TIRANË, 29 janar /ATSH/ -Kryeministri Edi Rama ishte sot në Korçë, ku inspektoi kantierin e ndërtimit të Qendrës së Re të Turizmit, e treta e këtij lloji pas atyre të Valbonës e të Vermoshit, pronë publike e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Drejtori i FSHZH, Dritan Agolli, u shpreh se, “Qendra e Re e Turizmit po ndërtohet në godinën e ish-maternitetit të vjetër të Korçës. Qeveria e Shqipërisë nëpërmjet FSHZH është duke investuar në ngritjen e qendrave të zhvillimit të turizmit. Kjo është e treta në radhë pas qendrave të zhvillimit të turizmit në Vermosh dhe Valbonë”.
“Kjo godinë po transformohet totalisht, nga një godinë totalisht e degraduar dhe e amortizuar, po kthehet një qendër për zhvillimin e turizmit, e cila do të ketë në thelb koordinimin midis operatorëve turistikë, zhvillimin e kapaciteteve, promovimin e turzimit etj”, theksoi ai.
“Qendra e re e Turizmit do të ketë sallë konferencash, facilitete për studentë, për start-upe, internet, kompjutera për ëorkshope”, theksoi Agolli.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo u shpreh se është një gjë shumë e mirë dhe një iniciativë shumë e mirë e FSHZH-së. ”
Turizimi është një sektor shumë i rëndësishëm ekonomik për qytetin e Korçës dhe për bashkinë e Korçës. Kemi një numër në rritje të vizitorëve, që zgjedhin Korçën si destinacionin e tyre dhe unë besoj që falë këtij projekti me FSHZH-në, ne do t’i shtojmë jo vetëm infrastrukturës turistike një aset të ri, por do të krijojmë edhe premisat për të kualifikuar stafin i cili do të shërbejë në sektorin e turizmit”, u shpreh Filo.
Filo shtoi se, “investimi duhet t’i përgjigjet edhe standardit që ka arritur infrastruktura turistike në qytet. Janë disa dhjetëra bujtina dhe hotele që janë ndërtuar vitet e fundit dhe të gjitha janë me standarde shumë të mira, janë me ndërtime shumë të mira dhe cilësore. Kështu që edhe ky investim i Fondit duhet të ruajë të njëjtin standard për investimet në infrastrukturën turistike në qytetin e Korçës dhe në fshatrat turistike të Korçës”.
Ndërsa Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh se, “është shumë i nevojshëm një operator që të jetë mbi operatorët privatë sepse ka disa shërbime që duan bashkëpunim, por bashkëpunimi nuk është kaq kollaj të arrihet nëpërmjet operatorëve kështu që ky model biznesi që në fakt është me një operator publik, shtetëror ka mundësi që ta mbushë këtë boshllëk. Të ndërtojë guida, shërbime të përbashkëta të bizneseve”.
Kryeministri Rama tha se, “në rastin konkret duke pasur një qendër të tillë, është ajo që tha Niko, që krijon sinergji dhe jep mundësi për ta sofistikuar ofertën më shumë dhe patjetër është një strukturë më shumë. Unë kam qenë i kam parë ato të Veriut qoftë në Vermosh, qoftë në Valbonë dhe janë fantastike. Janë fantastike edhe nga pikëpamja e komoditetit për të qëndruar aty. Aty kam qëndruar unë. Por janë fantastike edhe si pika graviteti. Natyrisht që këtu janë bërë shumë struktura dhe mesa shoh vazhdojnë të bëhen dhe do vazhdojnë të bëhen akoma. Të gjitha shtëpitë këtu në fakt e kanë atë lloj perspektive. Kështu që qendra këtu do t’i japë një adresë, do t’i japë një pikë referimi”.
Drejtori i FSHZH tha se afati i punimeve është 9 muaj. “Shpresoj që për sezonin e fundvitit festat e fundivitit do të jetë gati”, u shpreh ai.
“Për Krishtlindje. Shpresojmë Krishtlindje pa maska”, tha kryeministri Rama. /j.p/