Përbërësit

  • 1-1/2 kg mish viçi pjesa e shpatullës (i prerë në copa afërsisht 5 cm)
  • 2 qepë mesatare të grira hollë
  • 3 lugë supe vaj ulliri
  • 3 gjethe dafine
  • 100 ml vere
  • 1 kuti domate konservë të grira
  • 1-2 lugë supe domate pelte
  • 1 dru kanellë
  • 200 ml ujë
  • kripë
  • piper

Hapat

  1. PËRGATITJA E MISHIT Fshijmë mirë copat e mishit me letër kuzhine. S’duhet të kenë fare lëngje.
  2. Në një tenxhere, mundësisht të gjerë nxehim vajin në zjarr të fortë e skuqim mishin nga të tëra anët, për 8-10 minuta.
  3. E heqim mishin dhe vëmë në tenxhere qepën sa të fishket për 2-3 minuta.
  4. E hedhim mishin përsëri në tenxhere dhe e lëmë për 1 minutë, pastaj e shuajmë me verë.
  5. E lëmë gjersa të avullojë vera.
  6. PËRGATITJA E SALCËS Shtojmë të gjithë përbërësit e tjerë dhe ujin dhe sapo të marrë valë, e ulim zjarrin.
  7. E mbulojmë me kapak dhe e lëmë të ziejë në zjarr shumë të ulët për 1.5-2 orë, gjersa mishi të bëhet i butë.
  8. Brenda 1 ore që zien mishi, hedhim kripën e piperin dhe e korrigjojmë n.q.s nevojitet.
  9. SERVIRJA Në pjatancë, ose në pjata, e ngrohtë me oriz, ose pure patate ose patate të skuqura.