TIRANË, 7 shkurt/ATSH- A. Fortuzi/- Shumë shpejt pritet të nis ndërtimi i shëtitores së re të Ksamilit.
Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Sarandës, tha se “projekti është gati, financimi është gjetur dhe pritet tashmë të nis puna për realizimin e këtij projekti, ndërsa shtoi se eskavatorët nuk do të dalin të bëjnë sikur hedhin çakull, siç ndodhte në kohën e Saliut”.
Ai tha se “çdo gjë kërkon kohën e vetë dhe në pak muaj do të nis dhe puna. “Duke ardhur nga Ksamili po diskutonim projektin e Ksamilit. Ç’ka ndodh këtu me shëtitoren do të ndodh edhe në Ksamil. Është pjesë e të njëjtit projekt. Faktikisht është gjetur dhe financimi dhe së shpejti do të nis puna edhe atje, kur them shpejt, kujtoj se do duhet të priten muajt e nevojshëm edhe për të finalizuar projektin e zbatimit dhe procedurat”,- tha Rama.
“Njerëzit shumë shpesh mendojnë se puna nis kur shikojnë eskavatorët. Në fakt, shëtitorja është projekt që ka nisur tre vite më parë, që kur është negociuar financimi për katër qytetet, katër destinacionet turistike të veçanta, ku është përfshirë dhe Saranda me mbështetje të Bankës Botërore, si edhe BE përmes BERZH. Pra, janë disa komponent që kanë rënë dakord pas një negociimi, pastaj janë marrëveshjet e nënshkruara, pastaj projektet, pastaj garat, pastaj kompanitë fituese, kontratat dhe më pas nis puna. Nuk është se po nxjerrim eskavatorët që bëjmë sikur hedhim çakull, si eskavatorët e Saliut. Patjetër, që ky projekt do t’i japi hov Ksamilit”,- tha Rama.