Fshati Kalivac ndodhet në Njësinë administrative Krahës të Bashkisë Memaliaj.
Fshati Kalivac është një fshat i lashtë e me histori dhe që shtrihet mbi disa kodra e bregore, të gjitha mbi gurë.
Mbi çdo bregore gjëndet një mëhallë e formuar mbi bazë fisi, ato janë ngulime që datojnë në dokumente rreth shekullit të katërmbëdhjetë.
Sipas defterëve osmanë të këtij shekulli, emërtimet e mëhallave janë, Kyçyk, Leshnjë, Bujur dhe Horise.
Sipas një vështrimi arkeologjik të lashtësise, dëshmohet se në Kalivaç të Tepelenës ka patur ngulime më të hershme që prej shekujve para erës së re.
Në zonën ku do të ngrihej hidrocentrali i Kalivaçit mbi lumin Vjosë, arkeologët nxorrën në dritë zbulime të rralla arkeologjike për zonën e Nicivës, Gusmarit e më gjerë.
Arkeologët kanë zbuluar e rregjistruar artefakte dhe gjurmë të historisë nga paleoliti i mesëm e deri në mijëvjeçarin e fundit.
Nga zbulimet, ata sollën pamje të panjohura të periudhës romake por edhe të asaj helenistike.
Një zbulim shumë i rëndësishem në grykën e Ylynecit, ishte shpella e Eremitëve e shekujve të 13-të e 14-të pas krishtit, ku ende dallohen detaje të pikturës së Shën Mërisë.
Po aty një zbulim i rrallë janë edhe ndërtimet e Ali Pashë Tepelenës.
Në Kalivaç ndodhen gurat e ujit, një mbrekulli natyrore e ruajtur brez pas brezi ku rrjedh ujë të pishëm, shumë të ftohtë dhe të freskët si në verë edhe në dimër.
Turistët kanë ngelur të kënaqur nga vizita në Fshati Kalivac
Hidrocentrali i Kalivaçit të Tepelenës që ngrihet mbi lumin e Vjosës, është kritikuar shpesh pasi dëmton natyrën e egër përgjatë rrjedhës si edhe zbulimet arkeologjike.
Në Fshati Kalivac në mëhallën e Hasanbagajve ndodhet kalaja e lashtë dhe një toponimi i quajtur “Qytet”, duke na sjellë dëshmi të pakundërshtueshme për lashtësinë e kësaj treve.
Emërtimet e vendeve dhe emrat e njerëzve qëndrojnë fort në anën e vërtetësisë së tezës shkencore.
Në kohët moderne Kalivaçi i Tepelenës u bë një nga fshatrat më të mëdhenj të krahinës, duke luajtur një rol jo të pakët në jetën dhe veprimtaritë e trevave të jugut të Shqipërisë.
Mëhallat përbërëse të fshatit të paktën prej 100 vjetësh nuk kanë ndryshuar.
Kalivaçi ka një shkollë nëntëvjeçare të ndërtuar në vitet 30 të shekullit të 20-të me konstruksion guri të bardhë, të lidhur me llaç gëlqereje të fortë dhe njëkatëshe.
Shkolla ndodhet në qendër të fshatit, mbi një bregore me emrin Maja e Tendës, thuajse e barazlarguar prej mëhallëve dhe duket sikur nuk lejon që asnjërës prej tyre ti mbetet hatri.
Popullsia e Kalivaçit është autoktone dhe proceset demografike të zhvendosjes së popullsisë që e përfshinë, nuk ia dolën të tjetërsojnë e te zhbëjnë autoktoninë e banorëve.
Mëhallat që janë të ndërtuara dhe funksionojnë mbi bazë fisi, e kane bërë të qëndrueshme e të pandryshueshme raportin me autoktoninë.
Banorët e Kalivaçit të Tepelenës, përgjithësisht edhe sot ndjekin rritet pagane.
Koha dhe ndikimi i pushtimit të gjatë osman i kanë rreshtuar banorët e fshatit pjesërisht në sektin bektashian, myslimane dhe ortodoks.
Ndikimi i pushtimit osman ka kaluar disi tangent e nuk ka lënë gjurmë të forta në psikologjinë dhe në mentalitetin e kalivaçasit.
Disa toponime e zbulime arkeologjike dëshmojnë se treva e Kalivaçit të Tepelenës dhe popullsia kanë qenë të krishterë.
Në fushën e Kalivaçit në krye të Rredheve gjendet Ledhi i Qishës. në bregoren ku është ngritur mëhalla e Hasanbegajve rrjedh përroi i Shën Marisë dhe më tej ndodhet masivi shkëmbor shtresor i quajtur Rredhi i Gjikos.
Në vendin ku është ndërtuar mëhalla Ruç edhe sot janë të dukshme rrënojat e një kishe ortodokse mesjetare.
Thuhet se një kishë e madhe e me ndikim të fuqishëm në jetën shpirtërore të fshatarëve të Kalivaçit, ka qenë e ndërtuar në vendin e quajtur Vështi i Beres, ndërmjet fshatit Zhulaj dhe Kalivaçit, pranë majës së Marucës.
Po të shikosh emrat e banorëve të Kalivaçit, gjen të tillë që tregojnë prejardhjen e krishterë të kësaj treve.
I përhapur është emri Gjonlekë, Ajko, Breshan, Nelo, Gjon, Donikë, Samo, Vitori etj. Besimtarët myslimanë të Kalivaçit dhe ata të sektit bektashian, frekuentonin teqet e fshatrave fqinjë.
Ata ishin ndjekës të teqes së Dorzës, të tjerë i kryenin ritet fetare në teqen e Agarajt në fshatin Çorrush si dhe në atë të Arakopit midis fshatrave Levan dhe Krahës.
Por teqja me më shume ndjekës dhe me influencën më të madhe, ishte ajo e Koshtanit.
Kalivaçi i Tepelenës e ka ruajtur në shekuj autoktoninë e vet, si dëshmi e vitalitetit që ka por që nuk ka qenë e lehtë.
Ndoshta një nga faktorët më te rëndësishëm ka qenë fakti se mëhallat e fshatit kanë qenë të populluara mjaftueshëm për të përballuar sfidat e ndryshme.
Fshati ka pozicion gjeografik të favorshëm e me klimë të përshtatshme për rritjen e pemëve frutore ku vendin kryesor e zë kultura e ullirit.
Lumi Vjosë që ndan fshatin Kalivac nga fshatrat Shkozë dhe Dorëz, ndikon në zbutjen e klimës.
Në Kalivaç vegjetojnë shkurre masive me drurë koçimare, përrallë, xina, paliçe, mërete, konopice etj.
Mali i Bardhë përballë fshatit, me lartësi deri 2000 m edhe pse me dimër të ashpër nuk e ndikon aq shumë klimën e fshatit.
Në Kalivaç ka kullota të mira për rreth 2800 krerë dhen e dhi dhe banorët në shekuj kanë qenë e janë mbarështues të bagëtive të imëta.
Mishi i pjekur në hell për shkak të barit që rritet, kripës që i hedhin dhe teknikës së pjekjes, është mjaft i shijshëm e i kërkuar.
Guri i Kalivaçit, me përbërje gëlqerore lehtësisht i punueshëm por i bukur, është një pasuri e madhe e fshatit.
Arat e begata në veçanti ato në Rredhe, Margëlliç, Muratova, Vidhishtë, Jorga, Llagëme, Fusha e Leshnjës me prodhimtarinë e bimëve të arave, ku vendin e parë e ka zenë misri, e kanë mbajtur gjallë jetën e banorëve.
Si traditë në lashtësi, kalivaçasit meshkuj mbanin të lidhur në kycin e dorës një sëpatë të vogël të quajtur nagaçe, që shërbente për vetëmbrojtje.
Kalivaçasit janë njerëz luftarakë, jo të fjetur e flegmatikë.
Oda e burrave me veprimtarinë dhe ndikimin e saj edukon e formon njerëz luftarakë por me shpirt të gjerë.
Tema mbi burrërinë e trimërinë edhe sot është temë e preferuar në bisedat mes tyre.
Banorët e Kalivaçit të Tepelenës dallohen në të gjithë trevën si njerëz bujarë e me zemër të madhe.
Në Donije të Kalivaçit prej kohësh që nuk mbahen mend funksionon një lundër, e cila ka shërbyer e shërben për të transportuar njerëz, kafshë dhe mallra nga njëra anë e Vjosës në tjetrën.
Ajo në çdo kohë është përdorur nga kalivaçasit, disa prej të cilëve kanë qenë lundërtarë të guximshëm.
Shpesh udhëtarët që kalonin lumin i zinte nata në Kalivaç e u duhej të rrugëtonin në një mjedis të pasigurtë.
Banorët e Kalivaçit në veçanti ata të mëhallëve të afërta me lundrën, si Ahmetajt, Hysodosajt, Beqirajt dhe Hasanimerajt, i mikprisnin ata.
Kjo bujari me zemër bënte që ata të respektonin të ardhurit nga treva të largëta të Skraparit, Beratit, Gorës, Oparit deri në Kolonjë e Devoll.
Këngët, vallet, traditat e tyre shkonin deri në llogaritë kë do të dërgonin krushk për të marrë nusen, ata zgjidhnin burrat më të zgjuar e më të mprehtë që i përgjigjeshin romuzeve flakë për flakë.
Burra të tillë kishte në çdo fis e në çdo mëhallë.
Fshati i Kalivaçit është kufitar me disa fshatra të tjerë të trevës së Mallakastrës, si Çorrushi dhe me krahinën e Krahësit, si Zhulaj, Krahës dhe Toç.
Pavarësisht se i ndan lumi i Vjosës Kalivaci është kufitar edhe me Dorzën dhe Shkozën e Vlorës.
Kalivaçasi në shekuj për tu mbrojtur nga grabitqarët, armiqtë dhe rreziqet, janë lidhur me banorët dhe familjet e fshatrave të mësipërme nëpërmjet krushqive, miqësive në rrugëtimin e përbashket.
Këta e të tjerë janë shembuj të qartë tolerance të zonës. Këtu përdoret shprehja, “ Njeriu yt edhe po të hëngri mishin, kockën ta ruan”.
Aty festohet shumë dita e verës në 14 Mars, me ritet pagane të saj.
Aeroporti më i afërt është në Greqi rreth 90 km larg dhe ai i Tiranës rreth 102 km.
Trashëgimitë botërore të UNESCO, Berati dhe Gjirokastra ndodhen rreth 50 km larg.
Aktivitete tipike që zhvillohen
- Në 14 Mars festohet dita e verës, prej shumë shekujsh.
- Zhvillohen “Ditët e Trashëgimisë Europiane, (Panairi i Artizanit) për Qarkun e Gjirokastrës.
- Zhvillohet “Polifonia Shqiptare në UNESKO”, për Qarkun e Gjirokastrës.
Qëndër informacioni, agroturizmi, artizanale, etj.
Informacion për trashëgiminë kulturore në Gjirokastër me adresë tic@gjirokastra.org telefononi në numrin +355 842 67077.
Rruga: Ali Pashe Tepelena, Sheshi Bajron, Telefon 123 08 142 470, Fax 123 456 7891, E-mail info@tepelena.gov.al
Një kuriozitet mbi fshatin
Ka bashkëjetesë shumë të mirë midis besimeve fetare.
Gjendet hidrocentrali i Kalivacit. Eshtë një vepër moderne unike e llojit të tij.
Ka atraksione natyrore, turistike si lumenj, male, speleologji etj.
Njerëzit që banojnë, kanë të zhvilluar identitetin shpirtëror dhe fisnor.
Facilitetet
Përcaktohen facilitete fiskale në fazën e dytë të projektit fitues të 100 fshatrave e 150 bujtinave.
Pjesë e pesë paketave turistike shqiptaro-italiane, nga organizata italiane “Cesvi”.
Një serë projektesh infrastrukturore, në zhvillim e sipër.
Projekte në kuadër të programeve, Interreg IPA të Bashkimit Europian ku Shqipëria përfaqësohet me Qarkun e Gjirokastrës.
Koha që rekomandohet për tu vizituar
Fshati Kalivac mund të vizitohet përgjatë gjithë vitit, por koha ideale është ajo e sezonit të Pranverë-Verë dhe Vjeshtë, kur zona mbushet me shumëllojshmëri ngjyrash dhe produktesh natyrore.
Si arrihet në destinacion
Kalivaci është 102 km larg nga kryeqyteti Tirana.
Kontaktet e nevojshme
Informacion për trashëgiminë kulturore në Qarkun e Gjirokastër me adresë tic@gjirokastra.org telefononi në numrin +355 842 67077.
Rruga: Ali Pashe Tepelena, Sheshi Bajron, Telefon 123 08 142 470 Fax 123 456 7891 E-mail info@tepelena.gov.al
Fshati Kalivac i Njësisë administrative “Memaliaj”, pjesë e Bashkisë Tepelenë, Qarku Gjirokastër.
Telefon: ++355 (123)-7890
Fax: (123) 456-7891
Email: gjirokasterbashkia@gmail.com