TIRANË, 16 janar/ATSH/ Bardhësia e dëborës, që ka pushtuar ditët e fundit qytetin alpin të Pukës, ofron një peizazh mahnitës.
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga ky qytet verior i Shqipërisë, që është kthyer vitet e fundit në një atraksion turistik në çdo stinë.
Liqeni i qytetit është sistemuar me vende pushimi mes bredhave të lartë, prej nga mund të ngjitesh në Kodrën e Hanit për të eksploruar pistën natyrore të skive apo livadhet dhe kodrat që nuk ndodhen larg qytetit.
Puka, në veri të Shqipërisë, 145 km nga Tirana, mbetet e preferuara e adhuruesve të malit, ajrit të pastër, qetësisë dhe frymëzimit nga natyra. Kjo qytezë alpine mbart në vete të gjitha opsionet turistike, për të mirëpritur pranë saj vizitorë vendas dhe të huaj./k.s/