FOTO/ Nga Riviera joniane në Malin e Çikës, aventura që tërheq vendas dhe të huaj

spot_img

Çika mbi Llogora, si fron i  Perëndisë

Llogora, 25 korrik /ATSH-Shkëlqim Hajno/ Po bëhet përherë e më shumë i njohur fakti që turisti, mund të lerë për një ditë plazhin magjik të rivierës joniane dhe të ngjitet në lartësitë e maleve që çajnë retë, nga Borshi e Fterra deri në Malin e Çikës që kulmon si një karakoll gjigand me lartësinë 2044 m mbi nivelin e detit.

Padyshim një info dhe sinjalistikë e mundësuar kohët e fundit prej Administratës së Zonave të mbrojtura Vlorë, e lehtëson guximin për të kapur lartësitë drejt Çikës, e cila nga nisja e rrugës gjarpëruese dhe malore drejt Llogorasë, duket si një fron perëndie.

Thuhet se Maja e Çikës është në vendin e 85 të majave më të larta të maleve në Evropë. Këtu klima është mesdhetare, me verë të nxehtë dhe në përgjithësi të ngrohtë dhe dimër të ftohtë e thatë. Gjithandej këtu je nën “pushtetin” e pyjeve halore dhe pishat shekullore të llojeve të ndryshme, pyjet e përziera me degët që harkojnë dhe presin qiellin e kthjellët  krijojnë peizazhe magjike. Dhe kjo, ndodh si me pamjet që ofrohen nga Gjiri i Pashalimanit e Orikumi tej, ashtu edhe bluja unikale e brigjeve Dhërmi-Himarë.

Tare Dervishaliu me mushkën Çile, prijësi i turistëve drejt Çikës

Por për të nisur një rrugëtim monopatit të Malit të Çikës, të duhet edhe një udhërrëfyes, ose guidë vendase. Po kush më mirë se Tare Dervishaliu nga Dukati mund ta kryejë këtë rol?

Kemi lënë pas tabelat e AdZM Vlorë dhe ndjekim Taren.

Skuadra jonë është me katër persona. Tarja që do të na prijë, është  “numri 5”.

-Jami 6 bashkë më Çilen,- thotë Tare e shton:- Edhe Lesi, qeni.

-Po Çileja kush është-pyet njëri nga skuadra që ka ardhur nga Saranda.

-Çilja është mushka ime e bardhë si dëbora -shprehet Tare që na shpjegon se Çilja prin karvanin e  skuadrës së turistëve malorë, bashkë me Lesin.

Në Qafën e Përrallit

Para se të mbërrini në vendin e quajtur Qafa e Përrallit kolona jonë prihej nga Lesi, mushka Çile e tërhequr për kapistre nga Tare.

Guida jonë lidhi Çilen në një trug të rrëzuar pishe shekullore dhe nisi t’i jape ujë asaj me një pagur plastik. Në shohim të habitur.

Pastaj nisin pyetjet. Ai është Gjiri i Pasha Limanit? Po ajo maja si quhet me antenat e Llogarasë? Maja e Thanasit. Po më tej?

Dhe Tare i palodhur përmend toponimin e larmishëm të të dy krahëve nga Karaburuni dhe Çika e pellgu i Himarës.

Këtu jemi te Qafa e Përrallit, tregon Tare. Pastaj, më sipër gjejme Qafën e Gjoçurës, Dhiaporin, Majën e  Qores, Qafën e Shëngjergjit, sheshin e Kozërës që është i bukur si në parajsë dhe pastaj vjen froni i perëndisë, Maja e Cikës……

Në pushim në Dhiapor

Tare na bën shenjë të pushojmë. ”Është Dhiapor, këtu”,- thotë ai. Këtu unë do të bëj një cigare të hapur, do t’i jap ujë Çiles dhe ju mund të bëni foto sa të doni, të hani diçka nga torbat që keni në samar të Çiles dhe pas një cope here ngrihemi të ecim më sipër…

Tarja na tregon se aty pranë ndodhen “Depot e Italjanit”. E ndjekim në një monopat dhe aty shohim një objekt të betonuar me dy oxhakë. Janë me ujë të pijshëm, thotë Tare.

Dikush ka dalluar një tufë me çaj pranë një shkëmbi gri në të errët dhe nis e këput degët me lule.

Kemi mbërrit mesa duket në zonën alpine të kullotave. Këtu rrëfimet e Tarës, pylli dhe lëndinat me bimë medicinale e bëjnë më interesante udhëtimin alpin në Llogora.

Gjiri i Pashalimanit nga Maja e Qores dhe legjenda e ujit…

Jemi në 1999 m mbi nivelin e detit  dhe tani këtu do të prehemi ca,- nis “Guida”.

Pastaj, ulet në një gur duke na treguar me dorë Gjirin e Pshalimanit , Orikumin, Detin e Vlorës, fushat e Dukatit  etj,. Tutje është Otranto, Italia,- e përmbyll shpjegimin e parë në Majën e  Qores.

E dini juve kush është fshati më i madh në Shqipëri?

Ua them unë: Dukati. Dhe nis e flet për lashtësinë e Dukatit, për religjionin, përbërjen sipas origjinës fetare të fshatit më të madh në vend:  ca janë myslimanë , ca të krishterë ortodoks…Pastaj rrëfen për marrëdhëniet shekullore me popullsinë e zonës së Himarës, -duke, habitur me rrëfimet e tij, Tare.

Tek-tuk monopatit dallohen shenja të kuqe të sinjalistikës së shtigjeve çka të kujton orientimin e çdokujt që vjen për herë të parë kësaj ane malore të Llogorasë.

Tare ka dëshirë të rrëfejë për toponiminë e zonës ku është rritur në Dukat dhe Gadishullin e Karaburunit, tradicionalisht kullotë e fshatit të tij.

Te antenat e TV është Maja e Thanasit, më tej Maja e Gjipale,  dhe maja e Bredhit, Maja e Shëndëlliut dhe Vali i Lekondit. Maja e Gajtë, Shtrunga e Gurtë dhe Kollovoçka, – tregon me dorë në ajër guida jonë. Nga Maja e Thanasit Gadishulli i Karaborunit, sot  pasuri e një Zone të mbrojtur, është i mbushur me toponime  të lashta që zgjojnë vëmënejdn tonë: Bishti I malit, Qafa e Petrunës, Maja e Hilqes, Qaf; e Bisanit, Ravena, Maj e Flamurit,Maj e Kore, Gropat e Ndrevolit, Kepi i Gjuhëzës deri tej te Shpella e famshme e Haxhialisë e mbushur me legjenda e histori shekullore.

Pastaj rrugës për në majën e Çikës Tare na tregon legjendën e Shpellës së Karaburunit ose Shpella e Rrapit. Po nuk u ther një mish nuk hapet ujit,-rrëfen legjendën Tare.  Kjo ndodh dy herë në vit: në maj  kur dalin dhentë dhe në nëntor kur vijojnë ose kur kthehen për dimërim…

-Flora medicinale e Çikës

Si një ndër majat më të larta në Shqipëri, zona e  Majës së Çikës dhe Maja e Qores nuk ofrojnë vetëm pamjen e jashtëzakonshme, si٣përmend diku dhe Lord Bajron në udhëtimet në Shqipërinë e asaj kohe të Ali Pashë Tepelenës; por kësaj ane ka edhe një pasuri të madhe me bimë mjekësore.

Rigoni, sherebeli i egër, balsami, fier guri, trëndëlinë, trumëz, çaj mali, etj gjenden gjithandej shkel këmba e një turisti në monopatet e Llogarasë drejt majës së Çikës. Për çdo bimë Tare tregon një sëmundje të cilë si referohet për kurim. Duket se ai i di gjithë këto info sepse një herë në 2-3 ditë i ngjitet për bimë medicinale majave drejt Çikës.

Kësaj ane, të Llogorasë të duket sikur je në një  depo gjigande të bimëve medicinale dhe nën pushtetin e freskisë që sjellin mijëra pisha si mijëra kondicionerë natyrorë.

 Shqiptarë dhe të huaj drejt Çikës…

Në zbritje, të rrugëtimit tonë alpin në Llogora, takohemi ballë përballë me një familje të huaj e cila ka dy fëmijë të vegjël ndoshta 10 dhe 8 vjeç. Na tregojnë se kanë ardhur nga Belgjika dhe do të shkojnë drejt majës së Çikës.

Na pyesin nëse janë në rrugën e duhur .Po,-I themi dhe papritmas i pyesim:

-A keni marrë ujë me vete?

-Po.Faleminderit!

/j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Related Articles

Stay Connected

21,992FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe

Latest Articles