TIRANË, 30 janar/ATSH/ Në Dardhë, 18 km në juglindje të Korçës familja Tasho me vizion e punë të palodhur ka krijuar një destinacion special turistik.
Me antë të një investimi kjo familje e ka kthyer dëborën në instrument ekonomik përmes një piste shumë të frekuentuar skish, që e ka rritur papushim fluksin e vizitorëve dhe ka vendosur në rendin e ditës domosdoshmërinë e një mbështetjeje të konsiderueshme nga qeveria, përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe kryetari bashkisë së Korçës Rama tha se “në zona si kjo fillohet me një investim, blihet teleferiku i ri, bëhet hoteli i parë si në Vermosh, Valbonë, pastaj vijnë më radhe të tjerat. Resortet e skive dhe në verë janë super të populluara kur nuk ka borë fare, vihet për kënaqësi të natyrës”.
Kreu i qeverisë u shpreh se “kjo pjesë është e lidhur me idenë e parkut olimpik që të shërbejë si qendër stërvitore për skuadrat e huaja. Është tjetër ide e bukur, do të ndërtohet një plan ku të ketë fusha sporti, akomodim për ekipe që gjatë verës të vijnë ta shfrytëzojnë, por përtej këtyre zonat e skive janë plot me njerëz edhe në verë”.
Më tej Rama tha se “kur ne thamë që do të bëjmë qendrën e zhvillimit të turizmit në Valbonë, aty ka filluar një bum investimesh. Janë bërë gjitha ato bujtina dhe një hotel me 5 yje që bëhet dhe do mbarojë së shpejti”.
“Do të bëjmë gjëra të mira, më e keqja është pas krahëve, pandemia i ndihmoi shumë njerëz të njohin Shqipërinë”, tha Rama.
Kryebashkiaku Filo tha se “mbase jemi rasti unik në Ballkan që kemi pistë skish kaq afër një qyteti të madh si Korça që ka dhe shumë gjëra të tjera që mund t’i ofrojë turistëve, pra bëhet një paketë interesante. Siç i kemi parë në Maqedoninë e Veriut, Greqi, pistat e skive janë shumë larg qyteteve të mëdha”.
“Dua t’u falënderoj për rrugën pasi kur erdhëm këtu erdhëm në rrugën e re Boboshticë –Dardhë, pasi rruga ka qenë shumë e keqe sidomos në 800 metrat e saj. Është bërë një punë shumë e mirë dhe nga operatortë turistikë të Dardhës sepse është rritur shumë fluksi i vizitorëve në Dardhë falë këtij investimi”, – shtoi Filo.
/k.s/j.p/